Copëza nga fletorja e shënimeve, për romanet: “Pylli norvegjez” i Haruki Murakamit, “Varrë” i Eqrem Bashës, “I biri” i Andrej Nikolaidisit, “Ngjyrat e këtij dheu” i Kim Mehmetit, “Goja e Botës” i Zija Çelës dhe “Ulërima e ujkut” i Ag Apolonit.

Një shkrimtar shumë i përfolur kohëve të fundit, si njëri nga kandidatët e mundshëm për çmimin “Nobel”. “Pylli norvegjez” është titulli i një kënge të grupit emblematik “The Beatles” të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Shkrimi është i këndshëm, me reflekse interesante, përshkrime ekspresive, ndonjë sentencë etj. Në qendër të rrëfimit është një student i Tokios, i cili të krijon përshtypjen sikur përjeton një adoleshencë të zgjatur, lodhëse dhe të mërzitshme për lexuesin. Në pritje që ky “brucosh” të rritet më në fund, kalojnë gati treqind faqet e romanit. Shkrimtari ka bërë një roman të shkujdesur, me personazhe që bëjnë jetë të shkujdesur dhe për një lexues gjithashtu të shkujdesur, vetëm se nuk del aq e qartë se ku fshihet, në ambientin japonez, shkaku i frymës së protestës, të cilën e kultivonin gjerësisht të rinjtë e asaj kohe të botës perëndimore. Në botën japoneze kjo frymë shartohet në mënyrë krejtësisht artificiale, jobindëse artistikisht. Harmonia që përpiqet të krijojë autori ndërmjet mentalitetit dhe etnopsikologjinë aziatike me filozofinë perëndimore del disi e artificiale, e ngritur në tezë të romanit, por e pamotivuar artistikisht dhe në pikëpamje botëkuptimore. Në të vërtetë, në sfondin me ngjyra të hareshme të asaj bote me seks dhe alkool që çojnë deri në refuzim, rrinë si afishe të ngjitura në sfond ca protesta studentësh dhe një pasion i paqartë për vetëvrasje. Romani “Pylli norvegjez” është pak zhgënjyes për një autor me kaq zulmë. Synimi për të bërë një vepër, e cila qëndron mirë ndërmjet joshjes për lexim masiv dhe artit të mirëfilltë, e bën autorin të rrëshqasë në lehtësi shkrimi dhe shqyrtime sipërfaqësore.

Eqrem Basha, “Varrë”: Pas romanit “Lakorja e Iks-it”, njohësit e veprës së Eqrem Bashës nuk do të prisnin që ai të ambientohej aq lehtë në kultivimin e një proze tërësisht publicistike, jo pse në shkrimin e tij letrar Eqrem Basha kishte prirje të kryehershme të ndiqte modelet e letërsisë frënge (“Lakorja e Iks-it” në disa pika duket sikur asimilon përvojën e “Neverisë” së Sartrit), por ndoshta më shumë për faktin se konstalacioni i tij letrar në prozë tashmë ishte ambientuar tërësisht në krijimin e situatave ekzistencialiste, të cilat në tekstin letrar marrin një shqyrtim gjithashtu ekzistencialist. Te romani “Varrë” ndodh diçka tjetër: autori merr një pozicion të identifikuar racional dhe fiksionin e shtyn në kufijtë e zhbërjes, duke e vendosur narratorin në një pozitë disi të papërshtatshme, kur bëhet fjalë për prozën artistike, sepse ai tashmë nuk përshkruan situata ose gjendje, bëma personazhesh dhe atmosferë, por thjeshtë shpjegon dhe gjykon. Natyrisht, Eqrem Basha është shkrimtar me përvojë dhe me zgjedhjen që bën, me këtë mënyrë shkrimi, sikur synon t’i tejkalojë disa kufizime që i ka proza artistike: gjërat që thotë për qytetin e tij të lindjes, për Dibrën, për tmerret dhe absurditetet e jetës në kufirin mes dy shteteve, dëshiron të merren nga lexuesi si të vërteta tej artit, pra si të vërteta racionale, paçka se jeta në një realitet të tillë prodhon situata krejtësisht joracionale, që shpesh tejkalojnë edhe fiksionin më të pabesueshëm.

Shqiptarët e Malit të Zi, ata që ende përpiqen t’i kompensojnë disa mungesa të tyre kulturore dhe letrare duke nxitur lidhje dhe komunikim sa më intensiv me malaziasit, ka kohë që e afishojnë si shkrimtar dhe  publicist malazias me qëndrim korrekt ndaj shqiptarëve, Andrej Nikolaidisin e Ulqinit. Isha kureshtar të lexoja ndonjë libër të tij dhe, së fundi, më ra në dorë romani “I biri” (botim i Art-Clubit të Ulqinit dhe PEN Qendrës së Kosovës), i quajtur si pasardhës i “klasikëve postmodernë” në parathënie. Duke e lexuar librin me kujdes të shtuar, gjeta disa situata metaforike të turbullta për Ulqinin e shqiptarëve, ku Nikolaidisi, i identifikuar me narratorin, përjeton zhbërjen e substancës historike dhe ekzistenciale: të gjithë njerëzit e tij vdesin, turistët primitivë kosovarë vërshojnë qytetin, ndërsa kodra metaforike e mbijetesës së tij është kapluar nga një zjarr që nuk shuhet nga askush. Ky është sfondi ideor i veprës. Por kjo pak ka rëndësi, karshi faktit se proza e Nikolaidisit e kthen lexuesin kosovar te lloji i prozës metaforike e viteve 70-80 të shekullit të kaluar, e cila atëbotë gjerësisht ishte kultivuar edhe në Kosovë. Ajo që herë pas here në tekst e ngrit sadopak kënaqësinë e leximit, janë përshkrimet ekspresive dhe disa sentenca herë meditative herë metaforike, por, nëse teksti i romanit lexohet siç do të duhej të ishte i përkthyer dhe jo siç është i përkthyer, del se shumica syresh krijojnë asociacione të paasimiluara nga veprat e autorëve të njohur të proveniencës letrare kontemporane. Prandaj, ndonjëherë, mënyrat si trajtohen te ne prurjet nga letërsia e përkthyer nxjerrin në pah mungesën e njohjes dhe të leximit të letërsisë sonë, në radhë të parë.

Kim Mehmeti, shkrimtar dhe publicist nga Maqedonia, kur bën gazetari, përmes analizave të tij politike, fshikullon ashpër shqiptarët për të gjitha dështimet që iu ndodhin. Por, ndërsa lexon romanin e tij të fundit “Ngjyrat e këtij dheu”, vëren se Kim Mehmeti nuk i cakton letërsisë të njëjtin rol si gazetarisë. Letërsia nuk është për të shqiptuar kritikë, sikur thotë ai, as për të fshikulluar, as për të shpërfaqur realitetin, por, duke qenë më e fisme se gazetaria, ajo mund të shërbejë fare mirë për të idealizuar shqiptarët, qofshin paraardhësit qofshin bashkëkohësit e autorit, si atëherë kur ata ndërronin fenë gjatë historisë, njashtu edhe kur i shërbenin komunizmit, apo edhe tani, kur bëjnë jetë pa asnjë vlerë, të mbyllur në patriarkalizmin më anakronik dhe më të pashembullt në botën shqiptare. Për të qenë edhe më e habitshme, ky realitet nuk idealizohet, ta zëmë, përmes përshkrimit të atmosferës bukolike apo të situatave dhe rrëfimeve ekzotike, por më shumë përmes një diskursi publicistik, i cili, sikundër dihet, pikë së pari merr parasysh argumentimin racional. Që t’i bëjë njerëzit e tij krijesa të tilla, autori, jo vetëm përmes narratorit autodiegjetik, por më shumë me shpjegime të drejtpërdrejta, bën të ditur se personazhet dhe krejt ajo botë e tyre e idealizuar deri në himnizim mbase mund të mos ishin të tillë, vetëm se ai, pra autori, dëshiron t’i paraqesë me këtë pamje dhe t’i bëjë të flasin me gojën e tij, sikur në këto krijesa jo pa cene njerëzore të ishin sublimuar mençuritë e botës. Ky idealizim gjithsesi i sforcuar nuk do të duhej ta dëmtonte veprën letrare, sepse ajo edhe ashtu është fiksion, por dëmton postulatet e saj refleksive, në të cilat duket se autori ka investuar jashtëzakonisht shumë. Po kaq joracional është aty edhe një si sentimentalizëm melodramatik i autorit, i cili i bën personazhet e tij të vuajnë një dhembje pa shpjegim. Kjo dhembje duket sikur është e parathënë dhe vjen nga përtej çdo realiteti dhe perceptimi. Madje, personazhet e romanit, përgjatë tërë rrëfimit, nuk bëjnë gjë tjetër, pos që vajtojnë dhembjen e tyre, siç do të thoshte autori. Kësaj radhe ndoshta më pak se herëve të tjera, të qenit shkrimtar bilingual, Kim Mehmeti e vuan ende në disa rrafshe gjuhësore, në ortografi, ndonjëherë në leksik, por veçmas në përsëritjen e modeleve të njëjta të ndërtimit të frazave, kryesisht me të njëjtat lidhëza nënrenditëse.

Pas romanit për jetën e emigrantëve kosovarë në Perëndim, “Shkëlqimi i huaj”, Beqë Cufaj si me nxitim bëri temë të romanit të tij të dytë misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK-un pra, ndoshta pa një distancë të mjaftueshme kohore dhe pa i krijuar vetes hapësirë të mjaftueshme për ta asimiluar në mënyrë letrare një përvojë kontroverse dhe përgjithësisht konfuze. Në veten e parë, përmes një rrëfimi njështresor, një personazh i identifikueshëm qartësisht nga radhët e administratës ndërkombëtare në Kosovë, përballet me një botë dhe me një realitet, të cilin as e njeh, as e kupton dhe as është i interesuar ta njohë. Nuk depërtohet thellë në ballafaqimin e dy botëve, duket se ky nuk ka qenë qëllimi i autorit, ai më shumë ka synuar t’u japë përgjigje të drejtpërdrejt të huajve për “projektin” e tyre cinik rreth Kosovës: referencat janë vjelë nga realiteti me sforcim denoncues, të tilla janë futur në rrëfim, me një drejtpërdrejtshmëri lakuriqe, shumë rrallë i është lënë mundësi lexuesit të gjykojë vetë, që të nxjerrë ndonjë përfundim dhe t’i masë me kutin e tij përmasat e absurdit. Kjo gjithnjë e më shpesh duket si veçori bashkëkohore e prozës romanore te ne, një letërsi shkrimi që kufizohet me publicistikën. Sekush thotë se kjo bëhet për të ndjekur një trend modern të letërsisë, por më e mundshme është se kjo ndodhë për shkak të joshjes pas lehtësisë së shkrimit, herë të tjera mund të jetë një si kapërcim sipërfaqësor mbi ligjësitë e vështira të artit, apo ndoshta një iluzion krejtësisht i gabuar, se duke braktisur letraritetin, fitohet lexuesi imagjinar. Beqë Cufaj, veçmas me romanin e parë, e ka dëshmuar se ka predispozita të mira të bëjë letërsi që mund të lexohet edhe me kritere letrare.

Si shkrimtar, Zija Çela duket se ka arritur në atë pikë, kur shkrimi nuk është më kërkim, nuk është zbulim, por është sublimim, është përmbledhje, madje është matje me mundësitë ose pamundësitë e gjuhës. Në situimin e shkrimit autori duket se ndjen një kufizim: abstraksioni gjuhësor gjithnjë është vënë në raport të zhdrejtë me përvojën e realizmit si shkollë letrare. Shtegun për të dalë nga kjo situatë, Zija Çela e ka gjetur duke këmbyer realizmin kryehershëm me realizëm magjik. Te romani “Goja e Botës” arrihet shkalla më e lartë e metaforizimit të realitetit, vetëm se lexuesi mund të ndalet ndonjëherë dhe të mendojë, se cili mund të jetë funksioni i një metafore që ka objekt jo shumë të qartë reference. Që në titull, “Goja e Botës”, kemi një shkapërcim logjik dhe gjuhësor, i cili paralajmëron shkapërcime të tjera në rrëfim dhe në prosede. Sintagma e titullit, e përdorur në komunikim të zakonshëm si “gojët e botës”, do të duhej të sugjeronte thashethemet, të cilat do të mund të ishin variantet e ndryshme të rrëfimit për të njëjtën ngjarje. Në të vërtetë, kjo ndodh edhe në roman, por autori nuk dëshiron të ndalet këtu. Sintagmës, duke e vënë në titull me kuptim të shkapërcyer dhe në pikëpamje ortografike duke e bërë botën emër të përveçëm, në këtë rast i jepet konotacion më i gjerë. Kjo “gojë e botës” është zhvendosje në abstraksion i një subjekti me rreth kuptimor realist, është intriga kontemporane ndaj Fifarës së mbyllur në metaforën e saj surrealiste, një vend imagjinar, i cili jeton i patrazuar në iluzionet e tij. Në të vërtetë, komploti ndaj Fifarës dhe banorëve të saj vjen nga një subjekt i amshuar i letërsisë, nga “Hamleti”. Përgjatë tërë rrëfimit, Fifara luhatet ndërmjet tragjedisë së paevitueshme dhe të një talljeje cinike, e cila nuk është e autorit, por është e vetë fifarasve, që duan të maten me botën, duke e bërë “të tyrin” një subjekt të përbotshëm, siç është “Hamleti” i Shekspirit. Vrasja e njëmendët në skenë e aktorit që luan Hamletin, tregon se banorët e këtij vendi imagjinar, por me konotacione të qarta ambientale vendore, nuk dinë ta ndajnë lojën në teatër nga jeta të cilën e jetojnë. Me prirjen e tij për të ndërtuar ambiente dhe situata metaforike, me këtë roman Zija Çela shkon një hap më tej. Shkalla e abstraksionit këtu njeh dimensione të reja, metafora me kuptim dhe mesazh universal është po ajo e romaneve të mëparshëm, “Las Varrezas” dhe “SOS një buzëqeshje”, vetëm se idetë këtu çojnë në të tjera hamendësime dhe mesazhe që interferojnë ndërmjet filozofisë ekzistencialiste dhe aktualitetit autentik.

Bukovski dhe Kundera. Do të ishte një mrekulli sikur të arrihej te Kundera vetëm përmes një lidhëze bashkërenditëse, meqë, në rastin tonë, “lehtësia e padurueshme” më shumë se “e qenies” është e kotësisë. Duket se autori e ka hetuar që në fillim këtë mundësi të rrëshqitjes në sipërfaqësi, pse jo edhe në epigonizëm, prandaj ka kërkuar mënyrë për t’ia hedhur kësaj gracke: ka marrë një krah libra, një grumbull CD-sh dhe një numër DVD-sh dhe me “erudicion” ka vjelë prej tyre citate, poezi, këngë, kryesisht të tilla që lehtë harmonizohen me një tekst “rokerësh”. Shumica e fragmenteve vijnë nga literatura e përdorshme për studiuesit e kësaj fushe (ndonjë titull jepet gabim, edhe përkthimi i përafërt), apo të këngëve dhe të filmave të njohur gjerësisht edhe te ne. Më anë tjetër, ata që e kanë shkuar rininë në Kosovë në dhjetë-njëzet vitet e fundit, Bob Dylanin e kanë pikë referimi jo vetëm kur shkruajnë poezi, por edhe për të ndërtuar filozofinë e jetës. Shtoji kësaj edhe pak internet, për t’i gjetur citatet në origjinal, dhe, duke qenë “qytetar i botës”, natyrshëm vjen njohja e vërtetë ose e shtirë e gjuhëve të rëndësishme për botën dhe rrëfyesin. Më pastaj vjen eklektizmi dhe ideja për të krijuar një tekst total, përmes një mozaiku, ose kolazhi, të cilin autori përpiqet ta kornizojë me idenë themelore të refuzimit dhe rebelimit (poezi, skenarë, drama, copëza të ndryshme, tekste origjinale ose të huaja, apo me ide të të tjerëve). Ag Apolloni synon ta ngrejë të shëmtuarën në kategori estetike, jo përmes rrëfimit, më shumë në mënyrë deklarative, me anë të batutave ndonjëherë të shpëlara dhe naive, të vjela nga përditshmëria. I identifikuar me autorin ose jo, rrëfyesit i mungojnë skrupujt moralë dhe kufizimet etike, prandaj pa ndonjë vështirësi i gjen “anët e kundërta”, demistifikuese, të të gjitha tabuve dhe shenjtërive. Përse, pra, lidhëza bashkërenditëse ndërmjet Bukovskit dhe Kunderës del jofunksionale? Sepse renditja është e gabuar: aty ku përfundon Kundera, mund të livadhis Bukovski, por nuk mund të ndodhë e kundërta.

4 Komente

Murakami ne kosh te plehrave. Nje piedestal per Zija Celen.Pse nuk kandidohet per cmim Nobel ky?

smiley

ahahahahaaa

Romani “Pylli norvegjez” është pak zhgënjyes për një autor me kaq zulmë. Synimi për të bërë një vepër, e cila qëndron mirë ndërmjet joshjes për lexim masiv dhe artit të mirëfilltë, e bën autorin të rrëshqasë në lehtësi shkrimi dhe shqyrtime sipërfaqësore.

S'ke ça pret tjetër nga Murakamat dhe shokët e ithtarët e Murakamave...

"Pylli Norvegjez" !!! smiley Po novela e ka marre titullin nga Norwegian Wood e Beatles mer qyq. A e ke nigju noiher kongen? Po Bitellsat a i ke nigju? Jo! Ulu n'ven. Kater.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).