Gratë 

Janë shumë të largëta gratë. Çarçafët u kundërmojnë natën e mirë. 
Vendosin bukën mbi tryezë, që të mos ua ndjejmë mungesën. 
Atëherë e kuptojmë se faji ishte yni. Ngrihemi nga tryeza dhe themi: 
«U lodhe shumë sot» apo «rri, do ta ndez unë llambën». 
Kur ndezim shkrepësen, ajo kthehet ngadalë dhe niset 
me një vendosmëri të pashpjegueshme drejt kuzhinës. Shpinën 
e ka një sukë të hidhur ngarkuar plot me të vdekur 
me të vdekurit e familjes, të vdekurit e saj edhe të tutë. 
Ia dëgjon hapat tek kërcasin dhogave të vjetra, 
dëgjon pjatat tek vajtojnë në raft dhe pastaj dëgjohet 
treni që merr ushtarët për në front. 

Ditar internimi 

27 tetor 1948 
Këtu gjembat janë të shumtë 
gjemba, gjemba në ngjyrë kafe, në ngjyrë të verdhë, 
gjithë ditën e ditës, madje edhe në gjumë. 
Teksa kalojnë telat me gjemba, netët 
lënë në ta shuqe penjsh prej fustaneve. 
Fjalët që na qenë dukur të bukura dikur 
e humbën ngjyrën ashtu si jeleku i plakut në sënduk 
ashtu si një perëndim mbi xham. 
Njerëzit çapiten me duart në xhepa 
ose herë-herë bëjnë ndonjë gjest si të dëbonin mizë, 
një mizë që sërish vete dhe ulet po aty ku ishte 
në buzët e gotës së zbrazët a edhe më brenda 
në një pikë të papërcaktuar dhe ngulmuese 
po aq sa edhe mohimi i tyre për ta marrë parasysh. 

29 tetor 
Flemë vetëm pak nuk na mjafton. 
Gjithë natën gërhijnë të internuarit 
djem të lodhur, të lodhur. 
Jashtë ka yje yje shumë të mëdhenj 
yje të qethur, me qimet që u mbijnë të ashpra 
si koka e Shën Gjin Prodromit 
apo ajo e Panajotit tonë. 
Ka edhe zhaba të vogla mes menteve. 
Në mëngjes na përplaset në fytyrë një diell i trëndafiltë 
që pasqyrohet me mënyrën më të rëndomtë, përtej, në det, 
i ngjashëm me ato pikturat në vaj, që shiten tek shkallët e Kolegjit 
dhe është për tu çuditur që na pëlqen një i tillë diell. 
Një nga një, dy nga dy, ndonjëherë edhe më shumë 
qëndrojmë në oborr apo majë kodrës dhe e soditim. 
Dhe ky diell na fshikullon me forcë fytyrat 
ashtu siç rreh ai fshatari i zbathur me shkop bajamen 
për ti hedhur edhe kokrrat e fundit. 
Pastaj ulim kryet, vështrojmë këpucët, 
vështrojmë baltën. Asgjë nuk ka rënë. 

2 nëntor 
Miços i erdhi sot një letër prej vendlindjes së tij, Skopelos. 
Antigona i shkruan: «Vjeshta në ishull 
u mbush me zambakë të verdhë. 
O Miço ziu i thotë nuk besoj se i mban mend këta zambakë; 
ti nuk merrje vesh nga botanika». 
Miçoja 
fshiu syzet, e lexoi edhe një herë letrën. Ndanë tij, 
sipër gurëve, «Manuali i farmaceutikës». 
Miçoja vë buzën në gaz. I heq syzet prapë. Nuk i fshin. 
Do të doja të shkruaja një vjershë për Miçon 
jo me fjalë 
vetëm me zambakë të verdhë. 

3 nëntor 
Panushi mbështillet me një kapotë të vjetër. 
Ia ka falur një ushtar. 
Në fshat, ia ngjyen, në kazan, me bojë të zezë. 
Tani është e gjelbër as e gjelbër. 
Në xhepa ka 
pesë kokrra misër dhe dy gjethe duhan, 
si dhe vështrimin e lopës së tij. Panushi 
mblidhet kruspull brenda një velenxe të trashë. Velenxa 
është ca e kuqe dhe ca e bardhë. Edhe gjumi i Panushit 
ka ngjyrat e velenxës. Përherë, bie për të fjetur 
me gjithë kasketë, këpucë dhe pantallona. 
Po ti hiqte këpucët, patjetër që në to 
do të lëshonte vezët ndonjë zog 
dhe pastaj Panushi nuk do të kishte ku të fuste këmbët. 
Gjumi i tij çdo mbasdite 
i ngjan hijes së lisit mbi ujë. 
Tani i duhet të kursejë 
edhe pesë kokrra misër për të luajtur nëntëshen, 
derisa ti rriten prapë mustaqet dhe të kthehet në fshat. 

24 dhjetor 
Gjithçka u harrua para se të thuhej. 
Dhe heshtja nuk është vendstrehim. 

26 nëntor 
Ky thëllim na nxin jetën. 
Uji akull, buka akull. 
Dielli i bardhë ngjitur në xham 
një diell prej dëbore dhe pullash të vjetra postare. 
Vetëm shtambat ruajnë diçka 
prej shtëpie dhe kujtimi. 

2 dhjetor 
Qielli është një vrimë. 
Nuk na nxë të gjithëve. 

4 janar 1949 
Dhe befas 
një kujtim zogjsh 
që u mbytën në të panjohurën. 

31 janar 
Natë, o nëna ime tha ai; 
mbështillmë në flokun tënd të zi 
i shpuar nga yje 
tek jetoj poshtërimin 
e të mosqenit i vdekur. 
(Fliste i vetëm përballë murit. 
Retorika shfaqte dukshëm 
se e kishte një shpresë që ndokush mund ta dëgjonte). 

Përkëmbime 

E shpunë parmendën në arë; 
arën e sollën në shtëpi 
një varg përkëmbimesh u tjetërsoi 
gjërave kuptimin. 
Gruaja ndërroi vend me dallandyshen, 
u ul në çerdhen poshtë çatisë dhe nisi të cicërijë. 
Dallandyshja u ul para vegjës dhe nisi të endë 
yje, zogj, peshq, lule dhe sanallë. 
Ta dije sa të bukura i ke buzët, 
do më puthje në sy, që të mos shihja. 

Shpjegim i nevojshëm 

Janë disa vargje ndonjëherë edhe poezi të plota 
që as unë nuk ua di kuptimin. Ajo që nuk di, 
ajo më jep forcë. Dhe ti ke të drejtë të pyesësh. Mos më pyet. 
Nuk e di, po të them. 
Dy drita paralele 
nisur nga e njëjta pikë. Zhurma e ujit 
që rrëzohet, në dimër, prej ullukut të mbushur 
apo tingulli i një bulëze, tek bie 
prej një trëndafili në kopshtin e ujitur 
lehtë-lehtë në një mbrëmje pranvere 
si dënesa e një zogu. Nuk ia di 
kuptimin atij tingulli, megjithatë e pranoj siç është. 
Të tjerat, ato që i di, t i shpjegoj. Nuk harroj asnjëherë. 
Por edhe këto diç i shtojnë jetës sonë. Kundroja, 
teksa flinte, gjurin e saj që përthyhej mbi çarçaf 
Jo vetëm nga dashuria. Ai kënd 
ishte kreshta e brishtësisë, dhe kundërmimi 
i çarçafit, i sapunit e i pranverës plotësonin 
atë gjënë e pashpjegueshme që u përpoqa, më kot edhe një herë, të të shpjegoja. 

Bashkësi 

Një fëmijë përtyp bukën mbi shkëmb, me vështrimin përtej maleve. 
Një zog e hodhi spirancën e hijes së vet sipër një çatie të kuqe. 
Peshkatari hodhi grepin në det. 
Gjuetari një të shtënë në pyll. 
Gjithkush në pritje të fryteve secili të vetin 
që ti këmbejnë më vonë, nesër pasnesër, 
të hijshëm nëpër dritë, të zellshëm dhe të virtytshëm, 
të lumtur për thjeshtësinë e virtytit që i dallon. 
Poshtë pemës së vetme të bregut, po dërsin një shtambë shtatzënë, 
uji akull; dhe gryka e gjerë vulosur me një boçë 
pishe, kundërmon e shenjtëruar nga buzët 
e poetëve, zdrukthëtarëve dhe peshkatarëve, që e përqafuan. 

I vetëm në punë të tij 

Gjithë natën rendte vetmitar, i egërsuar, duke cytur pa mëshirë 
brinjët e kalit. E prisnin, thotë, patjetër, 
ishte çështje e ngutshme. Kur mbërriti ndaj të gdhirë, 
askush nuk e priste, nuk ndjehej frymë njeriu. Vështroi përreth. 
Shtëpi të shkreta, të kyçura. Po flinin. 
Dëgjoi pranë vetes kalin tek gulçonte 
i shkumëzonte goja, plagosur nëpër brinjë dhe kurrizi i ish rrjepur. 
Përqafoi kalin dhe zuri të dëneste. 
Sytë e kalit, të mëdhenj, të errët, gati në të shuar, 
ishin dy kulla të tijat, të largëta, në një visore me shi. 

Trokitje 

Kripa, dielli, uji, i brejnë pak nga pak shtëpitë. 
Një ditë, aty ku kishte patur dritare dhe njerëz, mbeten gurët e lagur 
dhe një statujë me fytyrën përdhe. Portat, të vetmuara, 
shtegtojnë në det, të paepshme, të pazakonta, të pazonja. Ndonjëherë, në të 
perënduar, 
i sheh sipër ujit tek shkëndrijnë të rrafshta, të kyçura përgjithmonë. Peshkatarët 
nuk i vënë re. Kthehen qysh herët në shtëpi dhe rrinë para bishtukut, 
dëgjojnë peshqit tek u rrëshkasin nëpër plasat e trupave, 
dëgjojnë detin tek i rreh me mijëra duar (të gjitha të panjohura) 
dhe pastaj bien e flenë me guaska ngatërruar nëpër flokë. 
Befas, dëgjojnë mbi ato porta trokitje dhe u del gjumi. 

Prani 

Male të lartë, re edhe më të larta, takuar 
mes pemësh e gojëdhënash, nëpër shpatet e thepisur, 
aty ku i shëndetshëm e gjithë forcë jehoi ligjërimi 
pa frikë nga retorika, ndërsa, më poshtë, 
në dy radhë përkundruall, po heshtnin statujat 
mes reve të verdha të shpartave të lulëzuara, 
krejt lakuriq përmbi vdekjen, me thimbat përpjetë. 

 

Përktheu nga origjinali Romeo Çollaku

Marrë nga Poeteka

5 Komente

Me kujtoi librin qe kam lexuar dikuuur "Mehallat e botes" prej nga ruaj nje shije te mire. Po sa kane ndryshuar  gjerat.Vetem "Grate" dhe "Perkembime" kane arome poetike.Te tjerat pershkruese.

Qielli është një vrimë. 
Nuk na nxë të gjithëve. 

 

 

Te mrekullueshme, kane ardhur kaq te fuqishme ne shqip.

Ajo që nuk di, 

ajo më jep forcë

Këtu gjembat janë të shumtë 
gjemba, gjemba në ngjyrë kafe, në ngjyrë të verdhë, 
gjithë ditën e ditës, madje edhe në gjumë...

Edhe ky i ndjeri paska pas njohur meritat e Gjembit !!! Sidomos ky kombinimi me ngjyra i kafeve me te verdhe ...tu shtosh dhe pak Jeshil   smiley

Te ben pershtypje perse asnje shok antikomunist nuk ka nje dedikim per kete Poet te "'arte "'qe i kendoi jetes reale te njerezve .Mos valle eshte i Realizmit Socialist ?

Nje Perle jehone per te pare edhe Kopshtarja se cila eshte vetia kryesore e Grave qe ka ardhur nga shekujt

dhe pastaj degjohet treni qe merr Ushtaret per ne Front ...smiley

Ditari i internimit me pelqeu me shume. Edhe perkthimi m'u duk mjaft mire. Faleminderit per prurjen.

Po ti hiqte këpucët, patjetër që në to 
do të lëshonte vezët ndonjë zog 
dhe pastaj Panushi nuk do të kishte ku të fuste këmbët. 

31 janar 
Natë, o nëna ime tha ai; 
mbështillmë në flokun tënd të zi 
i shpuar nga yje 
tek jetoj poshtërimin 
e të mosqenit i vdekur. 
(Fliste i vetëm përballë murit. 
Retorika shfaqte dukshëm 
se e kishte një shpresë që ndokush mund ta dëgjonte).

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).