Në morinë e problemeve, me të cilët përballet çdo ditë shoqëria jonë, shpesh të një natyre ekzistenciale, si ikja masive e popullatës, mbijetesa, plagët e trashëguara, ngushtica ekonomike, korrupsioni etj., ku e vendosni për nga renditja mjerimin e kulturës e, për pasojë, të letërsisë?

Së pari lermë të them se nuk jam i mendjes që për kulturën (dhe letërsinë) duhet përdorur termi “mjerim”. Po ndoshta unë, nga larg, i idealizoj ca gjërat. Mund të përdorim më mirë fjalën “probleme”? “Halle”? Do t’i rendisja në të njëjtin nivel me të tjerat. Jam i bindur që nikoqirllëku në mirëmbajtjen e një shoqërie i ngjan asaj të një familjeje, qoftë ajo edhe e vogël dhe e varfër. Ka aty vend si për copën e bukës edhe për të kuqin e buzëve.

Ç'rol mendoni se luan interneti dhe mundësitë e reja të komunikimit në letërsi dhe sa e ndikojnë ato këtë të fundit?

Sot për sot interneti për mua është një entitet fluid. Nganjëherë më duket si një zgjatim abstrakt i mediave, hapësirë publiciteti për gjëra tashmë të botuara e stërbotuara. Se, deri sa të më provojnë të kundërtën, shkrimtar ende quhet ai që ka botuar libra prej letre. Shkrimet në internet, botimet on-line, poezitë e hedhura në facebook dhe haikut në twitter dominojnë ndaj atyre botuar në letër vetëm nga ana numerike. Spontanisht lind pyetja: nga gjithë këto vepra, cilat nuk do ta kenë jetën efemere? Do të ndjemë, vallë, nevojën t’i rilexojmë? Interneti e ka mijëfishuar shkrimin dhe na ka dhënë të gjithëve nga një megafon në dorë për ta pëdorur në mënyrë komode nga kareklla e shtëpisë. Padyshim që ka edhe përjashtime. Do të veçoja blogun “Pejzazhe të fjalës” (moderuar me dorë të hekurt!) apo “Peshku pa ujë” (po të bëjmë një sy qorr ndaj llogjeve të shumta në komente!). Por, përjashtimi, kur thoshte latini, vetëm sa forcon rregullin: shumë proliksitet; shumë nxitim në të absorbuar të asaj që thotë tjetri, në të shkruar (pa “ë” e pa “ç”, shpesh e shpesh); shumë agresivitet verbal, fshehur pas pseudonimesh idiote.

Duke qenë se cilësia letrare dhe përfitimi ekonomik nuk shkojnë doemos krah për krah, mendoni se duhen ndihmuar autorët nga administrata dhe në ç'formë, duke patur parasysh se modele të tilla si çmimet dhe bursat janë përfolur shpesh jo për mirë?

Ndihmë duhet të ketë, por jo të drejtpërdrejtë. Për shembull, me krijimin e një rrjeti të mirë bibliotekash në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe me mundësitë financiare për to që t’i pasurojnë fondet e tyre (unë pastaj do të isha që në vend që të ndërtohej Parlamenti i ri, apo Stadiumi Kombëtar, të ndërtohej një Bibliotekë e Re Kombëtare, po nejse). Por mënyra kryesore afatgjatë dhe eterne për t’i ndihmuar autorët është forcimi i një arsimi humanist (jo zbythja e lëndëve humaniste përpara yshtit teknologjik), evidentimi i veprës së autorëve/përkthyesve më të mirë në tekstet shkollore. Një shembull. Këtu në Itali, vetëm në klasë të tretë vajza ime u kthye në shtëpi me një fragment të gjatë nga poema “Re në pantallona”, e Majakovskit, dhënë nga mësuesja. S’do ta kisha menduar kurrë që në një vend “kapitalist” fëmijëve do t’u jepej, gati 100 vjet nga viti i botimit, kjo poemë e çuditshme që, siç mësova, të vegjlit i zbaviti aq shumë (si gjithë arti futurist).

Si e shikoni rolin e botuesit, librarit, jurive, ministrisë dhe, jo së fundi, të vetë letrarëve në raport me këta të fundit?

Po jap këtu, për mungesë kohe dhe shije thukësie, mendimin tim për rolin e botuesit, duke lënë mënjanë rolet e tjera (gjithsesi të rëndësishme – të më falin!), teksa rolin e ministrisë e ceka pak në përgjigjen paraardhëse. Në rradhë të parë mendoj se fitimi duhet të jetë pjesë integrale e punës së botuesit; përndryshe nuk kemi të bëjmë me botues, por me tjetër gjë. Botuesi “ideal” është ai që u beson ëndrrave; është një mediator i idealizmit me utilitarizmit. Por botimi i librave në Shqipëri, me gjithë progresin e pamohueshëm ndodhet, më duket mua, në një fazë foshnjore. Shtëpitë botuese në Shqipëri janë ende shumë të vogla, tip një dhomë e kuzhinë (me aneks). Ndoshta sepse botuesit nuk janë të fortë financiarisht, (nuk mund të themi që ekzistojnë në Shqipëri grupe editoriale) dhe, nga ana tjetër, ata nuk riskojnë kurrë. Botuesi duhet ta mbështesë autorin e ri që e meriton (s’po flas për veten time, që kam marrë të tatëpjetën) dhe ta promovojë atë duke marrë mbi vete riskun, pa e lënë në mes të xhunglës. A ekzistojnë në shtëpitë tona botuese figura të tilla si agjentët letrarë, editorët, konsulentët editorialë, redaktorët, grafistët (“art director”), revizorët e përkthimeve, zyrat e shtypit? Janë të gjithë punëtorë, ndoshta të padukshëm, që me punën e tyre ndikojnë në nën-ndërgjegjen e aktit të leximit, i japin librit mbivlerën.

Cilët poetë shqiptarë vlerësoni e nga cili prej tyre jeni ndikuar më shumë?

Lasgush Poradecin, për gjysmën e parë të shekullit të kaluar, dhe Martin Camajn për të dytën. Nga poetët e sotëm, në fakt, lexoj dhe pëlqej poezinë e miqve të mij, 3-4 poetë pak më të rinj se unë që i shoh rrallë e për mall. Nuk po ua përmend emrat, se ndoshta nuk është fort elegante. Por nuk them se ndjehem fort i ndikuar nga ta. Të paktën në fazën e tanishme të shkrimeve të mia. Se krijuesi i ndërron lëkurët si gjarpri. Më duket, gjithsesi, se jam mjaft i ndikuar nga ana formale e poezive të Lasgushit në përkthimin e poezisë. Që është, për mua, numerikisht, një punë 3-4 herë më e madhe se shkrimi i vargjeve të mia. Ndoshta ngaqë përkthej më tepër poetë klasikë, që përdorin forma të mbyllura. Në përgjithësi, sa herë gjej mundësi t’ua bëj një homazh, një përulje mjeshtrave, ua bëj.

Në poezinë shqipe mund të dallohen, varësisht nga koha kur u krijua, stile dhe rryma të ndryshme. Nëse nga fillimet e shkrimit e deri në rënien e komunizmit kemi, pak a shumë, periudha të studiuara mirë, nuk mund të thuhet kjo për kohën që pasoi. Çfarë prirjesh e mënyrash të shkruari, në mund të grupohen njëfarësoj qindra e mijëra shkruesi-e-t e vargut, dalloni në këtë kohë?

E them edhe nga përvoja personale. Ato 10-15 vjetët e parë nga rënia e komunizmit (pra deri para 4-5 vjetësh) janë nga më të çuditshmit dhe kaotikët në letrat shqipe. Të imagjinojmë një kalim nga robëria mendore në lirinë mendore (termat janë relative, por kalimi është aq i madh dhe i dhunshëm sa diferenca mes dy gjendjeve merr karakter absolut). Në rradhë të parë patëm lirinë për të lexuar. Ku na çoi kjo? Secili nesh, brenda një periudhe kohore të kufizuar, kaloi në vetvete duke e ndjerë në mish, krejt historinë qindravjeçare të poezisë moderne. Unë vetë, por edhe bashkëudhëtarët e bashkëmoshatarët e mi të letrave, si ato xhindët e sapodalë nga shishja, shkruam nga pak poezi ekspresioniste apo hermetike, neoklasike apo surrealiste, futuriste apo impresioniste, postmoderne apo minimaliste. Pastaj dalëngadalë, tash së fundi, gjithkush gjeti udhën e vet. E ku ka Zot ta shpleksë këtë lëmsh. Duhen të kalojnë vite, ndoshta breza që të ftillohet filologjikisht kjo punë.

Si e shpjegoni që në Shqipëri e në trevat e tjera jashtë kufijve shkruhet kaq shumë poezi?

Nuk është dukuri vetëm shqiptare. Edhe këtu në Itali ankohen për të njëjtën gjë. Thuhet se ka më shumë poetë se lexues të poezisë. Po të jetë kështu (nuk habitem) i bie që poetët të mos kenë lexuar as poezitë që i shkruajnë vetë! Mendoj se arsyeja kryesore është që sot për sot vargëzimin, është e thjeshtë ta ushtrosh. Mjafton të dish shkrim e këndim dhe të shkosh në kryerradhë përpara se të mbarojë fjalia. Quhet: “varg i lirë ndërkombëtar” (free international verse). Ama, po të pyesim pak se sa nga ata që shkruajnë poezi edhe përkthejnë nga pak poetë të huaj...do të shohim të na i vrasë sytë narcizizmi i shumicës, të bjerë Kartagjena.

Në kohët tona, gjithnjë e më materialiste në botëkuptim e në mënyrën e të jetuarit, ku e shihni vendin dhe rolin e poezisë? Sa vend zë ajo në jetën tuaj?

Në jetën time poezia zë shumë vend, kurse në jetën e familjes sime, për shembull, nuk zë vend fare (në një kohë që proza lexohet ethshëm). Kjo më bën të jem ca i pavendosur në gjykim se, kur i thonë, jemi të gjithë nga fshati i gruas. Megjithatë, po t’i lëmë mënjanë shakatë, mendoj se poezia sot mbetet ndoshta i vetmi kundëraltar ndaj njeriut afarist, heroit të kohës sonë. Sepse arrin ende të thotë diçka që nuk mund të thuhet dot me asnjë mënyrë tjetër, aq më pak me diskursin e kalbët të parasë. Kurse poeti si figurë i ngjan ca antiheroit të letërsisë romantike.

E shihni poezinë më pranë muzikës si gjini, apo më afër tekstit?

Poezia është tekst. Më duket kjo e qartë si drita e diellit. Megjithatë muzika me poezinë kanë diçka të përbashkët: forcën e madhe evokative. Forma arti fare të varfra (poezia ka aq pak fjalë sa edhe një fije letër zor se arrin ta mbushë, ka shumë hapësira bosh anash) që thërrasin në mendjen e atij që i dëgjon/lexon një univers të tërë. Poezia me muzikën janë, ndër artet, në skajin epror sa i përket forcës evokative. Në skajin tjetër, rri kinemaja (shumë pará, shumë imazhe, pak forcë evokative).

Si e shikoni të ardhmen e afërt të poezisë shqipe?

E shoh vitale. Por duhet të kemi parasysh pohimin elementar të Pound-it: “Beauty is difficult”.

 

Marrë nga Qerthulli

19 Komente

Sh. elegante intervista.

ps. per mua më, poezija eshte muzikë a mjuzik a ça dreqin ja thone smiley

Por mënyra kryesore afatgjatë dhe eterne për t’i ndihmuar autorët është forcimi i një arsimi humanist (jo zbythja e lëndëve humaniste përpara yshtit teknologjik), evidentimi i veprës së autorëve/përkthyesve më të mirë në tekstet shkollore. 

Shume dakord me kete pike.

Eshte gjithnje kenaqesi te te lexosh, Arben Dedja. Observime shume interesante, te sinqerta dhe poetike ne thelb. 

ps: Big fan i perkthimeve te tua.

 

Carmen 32 (in Albanian by Arben Dedja)

Pash nderin, o e ëmbla Ipsitillë,
o gazi im, loçka ime,
lejomë te ti të vij në vapëherë.
Dhe, në ta pastë ënda, bëj zahmet,
kurrkushi derës llozin mos t’ia vërë,
se mos të teket e del e shetit,
rri brënda pra dhe të më jesh hazër
për plot nëntë pallime palë-palë.
Në qenkëshe qejfleshë, lajmëromë;
i nginjur, shtrirë më kokërr të shpinës
xhamadan e gunë po zhbiroj.

Gaius Valerius Catullus
 

© copyright 20-12-2006 by Arben Dedja

"...nga roberia mendore , ne letersine mendore..!" Dale njecike more Arben! Ku e pane roberine mendore poetet keshtu xhanem....? F Si i vjasur po me duket Beni
" Lexoj gjithe gjithe 4-5 poete..." !
Dhe nga aqe pake poete te lexuar, kerren gjithe keto perfundime? Si pake me duken mua.
E duke e lexuar gjithe perqendrim kete intervisten e Benit, brenda seciles ka shume te verteta, ardhur prej gjendjes kaqe polivalente tek neve, nuk di pse mu kujtuan vargjet e nje poezie qe kujtoj se nuk e ka lexuar Beni
Titulli: " Hajt me.."
.. Rrjedhin ditet kupolave roze
Zemra ime- nje torbe florinjsh
Shume vajza i preka me dore
Shume gra i trazova me gjisht....

Ne fakt kartmonedha eshte ndoshta vepra e artit grafik me superiore ne te gjitha kohet (po te futesh ne pilaf edhe bazoreliefet e monedhes). Per ta kuptuar kete mjafton nje ekspozite ose nje enciklopedi te pares ne historine e njerzimit. Mbrekulli.

Por kesi gjerash artistet e mdhej mer jau nuk hane pyke, e mbajne veten me superiore se drejtori i Fiat-tit, mjafton qe te kene marre rrogen ne fund te 15 diteshit si mesus katuni.

Ne Shqiperi poetet e mbajne veten akoma me superiore, sidomos tani qe u pordh per skrap tere Kombinati i Traktoreve. Te tereve ju duket vetja Ezra Paund.

Kete ndoshta e ka kuptuar vetem ish-drejtori i bankes Mitrush Kuteli, puna me e ndyre ne bote per poetet e mdhej mer jau. Edhe per revolucionaret e mdhej mer jau. 

Te ishte kartmonedha vepra e artit grafik me superiore e gjithe koherave si thua ti, Benjamin Franklin nuk do e kishte futur ne kartmonedhe frazen "To counterfeit is death."

Pastaj se mos vetem Kuteli, edhe Wallace Stevens. Problemi eshte se si per Kutelin, si per Stevens, te qenit drejtor banke nuk besoj ka pasur ndonje ndryshim nga te qenit mesues fshati apo kamarier. Thjesht ceshtje rrethanore, dhe po, mbijetesa eshte me e lehte si drejtor banke se sa si postier, por kush tha qe poeti brenda tyre nuk do ishte po njesoj i kenaqur edhe si pastrues? Apo me mire akoma, a nuk do ishte krejtesisht i permbushur si poet? Pse, nuk eshte per te ardhur keq qe Dan Brown, librat e te cilit i ngjajne me se shumti kartmonedhes jo vetem per sa i perket dizenjos, por dhe per sa i perket faktit qe duke qene te gjitha i njejti kallep jane po njesoj te riprodhueshme si kartmonedha, a nuk eshte per te ardhur keq pra, qe ky autor jeton me se miri si autor, nderkohe qe Stevensat e Kutelat, per te mos folur fare per Henry Millerat e kesaj bote, detyrohen te degradojne veten dhe behen sherbetore te parase per te siguruar jetesen, ne vend qe te ishin thjesht sherbetore te muzes se tyre?

Drejtori i Fiatit, thote!!! A thua drejtori i Fiatit eshte me superior se ky

Problemi - nese mund te quhet - i heretikut eshte se kerkon te shtjere nga shume dritare: nje here eshte spiritual, nje here eshte spiritist e nje here eshte spicer.

fin,

problemi im eshte perpiqem te bashkoj gjera qe te tjeret i ndajne ose i specializojne, e ndonjehere pa qene fare specialiste. 

Fola vetem nga pikpamja grafike (dhe i kisha me teper llafin per kartmonedha te vjetra, se ka nje zvrdhje me kalimin e kohes, qe nuk eshte vetem minimaliste), kurse ti po e kanalizon muhabetin ne domethenien e vepres se artit dhe domethenien e kartmonedhes. Ketu muhabeti behet i turbullt, une e kam veshtire te te ndjek, per analogji ne diskutime analoge. Psh se kap fare lidhjen me falsifikimin, e marr me mend qe do te kete lidhje, por e marr me mend qe muhabeti do te behet terkuze duke kthy fjalet si petlla.

Per Stevens nuk e di si e ka pas punen, ndersa per Kutelin thone qe ambicja e tij ishte ekonomia dhe financa, jo arti. Thone qe kishte nje plan dhe projekt per unifikimin e pares ne Ballkan, veper shume domethenese, po aq domethenese qe per kete pune nuk flet njeri, pa per projektin dihet ku ka perfunduar.

Si me te lexume si me te jetume me eksperience reale, eshte e padurueshme arroganca e poetit (shtirur edhe si modesti) sikur me qene krijese superiore, perkedhel nga te gjithe, edhe kur hedh shqelma si bebe me biberon ne goje.

Sherbetore te pares jane te gjithe, te pasur edhe te varfer ("Ka njerez qe e duan parane me teper se te pasurit, jane te varferit" - Wilde) perderisa parja do te jete ne qarkullim, prandaj Lenini parashikoi zhdukjen e saj.

Dhe si me te lexume dhe si me te jetume roberit me te medhej te parase jane artistet, pavarsiht nga shtirjet dhe ndonje perjashtim, qe vlen njesoj edhe per drejtoret e Fiatit.

Tek ajo foto jote mua (dhe Marinetit) me duket me superior makina se ahengu siper makines.  

Per makinen e kisha edhe une, dhe per prodhuesin e saj qe eshte me superior nga drejtori i fiatit. Nuk eshte foto. Degjo kengen. Gjej tekstin e kenges qe ta moresh vesh se sbehet fjale per foton.

Medemek ti thua se pordhet e artisteve vijne me shume ere se pordhet e afaristeve? Aq me teper afaristeve shqiptare? Te lutem, mos na bej me qesh!

Shiko se po behet lemsh muhabeti, megjithse çfar du me thene del edhe ne mes te lemshit, dhe aq me teper prej lemshit. Krahasova makinen si prodhim dhe kengen si prodhim.

Mora si shembell kasten drejtorin, meqe konsideruar si burokrat drejtoret ne pergjithsi. Ne fakt nuk eshte keshtu (perveç ndonje rasti, te siguroj se drejtoret e Fiatit kane qene te gjithe njerez me personalitet te madh dhe me me vlere se kyeministrat italiane), ne proçesin e prodhimit modern prodhues jane te gjithe, puntori, tekniku i mesem, dizajnatori, kryenxhinieri, drejtori, avokat Anjeli. Nuk eshte me koha e Leonardos, as e Stefensonit. Te manipulosh paret eshte teknologji, biles sot teknologjia me e rafinuar.

Jo pordhet vijne ere njesoj, me ndryshim se parfumi i sinjora Bertinit ka arome pordhe artisti.

Artistet shqiptare nuk jane as me pak e as me shume se artistet shqiptare. E pse te jete ndryshe?

Korrigjim:

Artistet shqiptare nuk jane as me pak e as me shume se afaristet shqiptare.

S'jam kondra poezise, po me teknologjine c'pate. Se po me gjujte me gur, te gjuj me llastike - sajese teknologjike. 

smiley  E shikon qe qenke edhe ti poet/bejtexhi?

Hoqa dore shpejt kur humba shpresat per Nobel. Pse ti s'ke bere ndonje vjershe? Pastaj bejtet me duhen kur kacafytem me ata tifozet e Partizonit. 

Une vjershe? Eshte e ndare ajo pune, kam ardhur me vonese ketu, ishin zene vendet.

Pse s'ka jete para/jashte peshkut? O Zot me fal mekatin e ketij mendimi. Dy rreshta vjershe do i kesh bere dhe ti. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).