Nevoja për një reformë të shpejtë të pensioneve ka shkuar në fazën që nuk ka kthim pas. Rritja e moshës së daljes në pension, pse jo edhe rritja e kontributeve janë bërë një domosdoshmëri. Por ndryshimet e një skeme tashmë “piramidë” kërkojnë ndërhyrje edhe më të thella. Për pensionet flitet se janë në kolaps, se skema tashmë është një piramidë, se subvencionet po i marrin frymën buxhetit, se ka keqadministrim etj. Rritjet e pakontrolluara të pensioneve kanë marrë çdo vit qindra milionë dollarë në formë mbështetjeje direkte nga buxheti. Ndryshimet nuk presin më. U ka rënë për pjesë të majtëve të ndërhyjnë. A do ta bëjnë? Po, sepse s’kanë rrugëdalje. 

Shifrat 

Pjesa dërrmuese e sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri janë pensionet. Sipas shifrave të muajit qershor 2013 në skemën e pensioneve ka mbi 562 mijë pensionistë, që janë afërsisht 20 për qind e popullsisë së vendit. Prirjet e së ardhmes janë qartësisht në rritje. Vetëm në vitin 2012 numri i pensionistëve të rinj të shtuar në skemë ka qenë 26.500 ndërkohë që një vit më parë ishin shtuar 21.400. Shumica e pensionistëve janë në qytete ku edhe masa e përfitimit është më e lartë. Sigurisht që nga qytetet vijnë edhe shumica e atyre që hyjnë në skemë për herë të parë. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti për pensionet janë harxhuar 36.4 miliardë lekë (360 milionë dollarë) nga rreth 420 milionë dollar shpenzime që ka patur e gjithë skema e sigurimeve shoqërore. Në 6 muaj shteti ka dhënë nga buxheti në formë subvencioni më shumë se 120 milionë dollarë, pjesa tjetër janë të ardhura. Duket se shifrat e këtij viti do të kenë rritje të konsiderueshme krahasuar me 2012 ku shpenzimet e skemës së sigurimeve (pensionet janë mbi 85 për qind e saj) kanë qenë afërsisht 900 milionë dollarë dhe ku shteti ka dhënë një subvencion prej 380 milionë dollarësh. Për të mbyllur një panoramë shifrash, vlen të përmendet se në Shqipëri niveli i të ardhurave nga sigurimet në raport me GDP është 4.7 për qind. Të gjithë vendet e rajonit (përjashtim bën Bullgaria) e kanë këtë tregues mbi 10 për qind. Ai që quhet raporti kontribues-përfitues është 1.2 me 1, në një kohë që raporti 4 me 1 quhet optimal. Për pasojë raporti pension-pagë mesatare është 30-35 për qind kur norma ligjore e duhur është 70-75 për qind. 

Një skemë e ndërlikuar 

Edhe skema e pensioneve ka labirintet e saj. Ajo që quhet skema bazë në fakt është e pleksur vit pas viti me shtesa e rëndesa që kanë rritur shpenzimet ndjeshëm. Pjesë e 560 mijë pensioneve janë edhe shpenzimet për 68 mijë persona në varësi të pensionistëve, pagesat për më shumë se 14 mijë veteranëve invalidë të luftës, për 500 invalidë të punës. Pjesë e ngarkesës financiare janë skema e pensioneve të posaçme, skema e pensioneve suplementare të punonjësve që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të tjerë të shtetit, skema e sigurimeve suplementare të ushtarakëve, pilotëve, ushtarakëve të nëndetëseve me mbi 20 mijë përfitues, skema e përfitimeve të veçanta për minatorët me rreth 4600 përfitues, skema e përfitimeve të veçanta për familjet e dëshmorëve dhe skema e perfitimeve për mbajtjen e titujve profesor, artist i popullit etj. Në total shpenzimet e të gjithë këtyre nënskemave në vitet e fundit kanë qenë mbi 50 milionë dollarë në vit. Në vitin 2013 parashikohen të jenë 56 milionë dollarë. 

Rritjet “shto miell e shto ujë” 

Bujaria e qeverive (shpesh në këmbim të votave) në rritjen e pensioneve nuk ka munguar pavarësisht efekteve në skemë. Më i akuzuari politikisht ka qenë ish kryeministri Sali Berisha. Por e vërteta është se edhe socialistët në vitet e tyre nuk janë treguar më pak bujarë. Kështu vetëm në korrik të vitit 2003 rritja e e pensioneve me 10 për qind në qytet dhe 20 për qind në fshat pati një efekt 16 milionë dollarë (për atë vit). Pra skemës iu shtua një ngarkesë vjetore 32 milionë dollarë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2004. Pas vitit 2005 në pushtet erdhën demokratët të cilët shpallën objektivin e tyre pensione mbi 100 dollarë në qytet dhe mbi 50 dollarë në fshat. Deri në 2012 ata rritën çdo vit pensionet dhe objektivin e tejkaluan ndjeshëm. Për shembull vetëm në vitin 2009 pensionet u rriten 8-10 për qind në qytet dhe 20 për qind në fshat. Në 2010 u rritën 7-8 për qind në qytet 15 për qind në fshat. Më modeste ishte rritja e 2011, me 5-10 për qind, por efektin vjetor në skemë e pati 42 milionë dollarë. Rritja e 2012-it mesatarisht me 4 për qind shtoi edhe 30 milionë dollarë të tjera. Nuk flitet për më tej sepse ndërroi pushteti. Por planet kanë qenë për shtesa me nga 30 milionë dollarë në vit. Pas kësaj serie, niveli i pensionit minimal në qytet nga 7800 lekë në vitin 2005 ka shkuar në 11.500 lekë në fund të 2012 ndërsa pensioni bazë në fshat në vitet përkatëse është rriur nga 3400 lekë në 7700 lekë. 

Çfarë ka shkaktuar e gjitha kjo ngarkesë progresive duket qartë në shifrat e shpenzimeve dhe subvencioneve për skemën në vite. Për pensionet në vitin 1993 janë shpenzuar 73 milionë dollarë nga të cilat 34 milionë dollarë i ka suvencionuar buxheti. Në vitin 2005 shpenzimet kanë shkuar 490 milionë dollarë ku shteti ka suvencionuar rreth 160 milionë dollarë. Në vitin 2012 patëm 890 milionë dollarë shpenzime dhe 380 milionë dollarë subvencion. Më shumë se dhjetëfishim. 

Për të shmangur kolapsin 

Shifrat janë publike. Edhe shqetësuese njëkohësisht. Në vitin 2006 Banka Botërore kreu një studim për sistemin e pensioneve. Rekomandimi ishte i qartë, “Qeveria tani e gjen veten në një udhëkryq përsa i përket modelit të pensioneve dhe i duhet të ristrukturojë rrenjësisht sistemin actual”. Nevoja e reformimit ishte urgjente. U dhanë disa opsione që….mbetën në letër. Kaluan 7 vjet. Gjërat rrodhën në rrugën që nuk duhej. Në shtator 2013, FMN rekomandon po të njëjtën gjë. Nevoja për reformë është urgjente. Ajo është paralajmëruar dhjetëra herë. Në një intervistë të vitit 2012 ministri aktual i Financave Shkëlqim Cani do të deklaronte, “Nuk di nëse do të imponohet ose jo nga ndërkombëtarët kjo qeveri për të vepruar para vitit 2013, apo qeveria do të përdorë çdo mjet për t’ja ngecur reformën qeverisë së socialistëve në vitin 2013, por pensionet doemos do të reformohen një ditë, me kosto jo të pakta për qytetarin shqiptar, përfshirë dhe rritjen e moshës”. 

Në tryezën e ministrit, tani FMN ka vënë alternativa të tilla si gratë të dalin në pension 65 vjeç, kontributet e shëndetësisë të kalojnë te sigurimet, të shtohen vitet e punës për dalje në pension, të rritet numri i të punësuarve në skemën e kontributeve etj. Veç barazimit të moshës së daljes në pension mes burrave e grave (ky ështe edhe një rekomandim i BE), pra gratë në “kuadër të të drejtave të barabarta” përfitojnë edhe daljen 65 vjeç në pension, ka edhe një alternativë tjetër: rritja me 2 vite e moshës së pensionit për burrat dhe me tre vjet për gratë. Edhe kjo na çon në standardet e BE. Rritja do të jetë e shtrirë në vite me nga 6 muaj në vit. Por rregullimet do të jenë edhe shumë më tepër. 

Ekspertët e FMN duket se e kanë pranuar propozimin e socialistëve për shëndetësi falas por me një kusht: kontributet e sigurimeve shëndetësore të mos hiqen por të shkojnë tek pensionet. Skema do të përfitonte kështu 150 milionë dollarë në vit. Skemës mund t’i shtohen të ardhurat edhe nga ulja informalitetit. Vendi edhe pse ka nivel të përafërt të taksës me fqinjët të ardhurat e mbledhura në raport me GDP janë 40 për qind më pak. Dhe së fundi nuk besoj se do të ketë njeri t’i kërkojë rritje pensioni një kryeministri që është i bindur për “krizën më të thellë ekonomike pas 1997” dhe që flet për “emergjencë kombëtare” në buxhet. Në fakt edhe FMN ka rekomanduar të mos ketë më rritje të pensioneve. 

Po më tej? 

Specialistët kërkojnë që brezi i ri të “demotivohet për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, sidomos të solidaritetit, (siç është kjo që kemi aktualisht) pasi në kushte aktuale dhe të perspektivës ofrojnë pensione të ulëta me kontribute të larta. Po ashtu ata kërkojnë edhe fshirjen e skemave suplementare të pensioneve. Por kjo i përket konsolidimit të skemës aktuale. A ka zgjidhje të tjera? Sigurisht që po. Pavarësisht se madhësia e tregut shqiptar nuk mundëson zhvillimin e shumë instrumenteve financiare, hapësira për pensionet private ekziston. Rekomandimi kryesor i ndërkombëtarëve është që skema aktuale të lërë më shumë hapësira për kolonat alternative. Ndonëse në një fazë foshnjore një treg i tillë tashmë është ekzistues. Në vitin 2012 kanë funksionuar tre fonde private pensionesh. Sipas Agjensisë së Mbikqyrjes Financiare ata kanë një total asetesh nën menaxhim me vlerë 2.03 milion euro dhe numri i anëtarëve në to është 7,281 vetë. Krahasuar me një vit më parë rritja është 15 për qind. Ky treg ndahet mes fondit të SIGAL që ka 3,045 anëtarë, fondit RAIFFEISEN me 2,513 anetarë dhe SiCRED PENSION me 1,723 anëtarë. 

SIGURIMET SHOQËRORE NE RAJON (VITI 2010)    

Vendi      Masa e taksës     Mbledhja e kontributit 
               (% e pagës)             (% e GDP) 

Shqipëri    29.5 për qind          4.7 për qind    
Maqedoni  30.1                           10.7 
Bullgari     38.7                            7.8 
Kroaci       37.2                           12.9 
Slloveni     38.0                           15.5 
Rumani     52.5                           12.4 
Hungari     35.0                           12.9 
Çeki         47.5                           14.8 

Burimi FMN 

11 Komente

Sigurisht qe "specialistet" nderkombetare kane qene ketu dhe jane paguar me miliona dollare per pagat e tyre. Tani del se sistemi "gjithnje ne reforme" na u dashka reformuar "urgjentisht".

Ne te gjithe boten sistemet e sigurimeve shoqerore jane ne reformim te vazhdueshem dhe bile nuk gjendet edhe nje vend i vetem ne boten e zhvilluar ku ky sistem te mos quhet "i deshtuar" dhe ne "kolaps". Por vetem ne nje vend si Shqiperia mund tua perkeqsosh te ardhmen dhe pakesosh buken njerzve si te duash. Ne cdo vend tjeter te gjithe do delnin ne rruge. 

Pyetja qe une kam lidhet me shpenzimet e vete institucionit te Sigurimeve Shoqerore. Sa na kushtojne ata? Si e kane ndryshuar nivelin e pagave dhe numrin e punonjesve?

econom, me rreshtin tat te pare jam dakord, se "specialistet" e huaj kushtojne shume, por atij populli mir ti bohet se nuk merr vesh, veri festen sipas kokes thote nje fjale e urte labe,  ndersa per rreshtin e fundit ku flet per koston e punonjesve te sigurimeve shoqerore, do te te kundershtoja se, ata jane tamam specialista, punojne dhe perpiqen me te gjitha menyrat te informojne qeverine dhe publikun, ti sensibilizojne ata dhe ti ndihmojne ata.  Ne te keqen e kemi tek qeveritaret tane idiota, qe nuk ndigjojne alternativat qe hidhen ne treg. Se pse, a jane te zene me punet e tyre private, apo jane hundperpjet, kjo eshte puna e tyre, qe nuk pasqyron gje tjeter veç mjerimin dhe diskriminimin e vet atyre. 

Mua me rezulton qe megjithse numri i atyre qe paguajne sigurimet shoqerore eshte 4 here me i vogel se ne kohen e Enverit, numri i punonjesve eshte rritur 2 here.

Me rezulton qe bordet, drejtoret etj marrin paga dhe shperblime sa paga e presidentit apo ministrave.

Qe shpenzimet e institucionit jane rritur.

Dhe nuk flas per pagat e punonjesve te thjeshte, qe shpesh gjithsesi te zgjedhur nga "miku" siç jane nuk ju sherbejne qytetareve ose mbjellin korrupsion pafund.

Rritja e moshes e daljes ne pension do te thote vjedhje nga shteti sharlatan( per te mos paguar te gjitha kontributet e atyre viteve qe nje person ka punuar).

Duke pasur parasysh qe ka nje papunesi shume te madhe ne te rinjte nuk ka se si te shtyhet dalja ne pension. Keto te ashtuquajtur eksperte nuk munden ta bindin popullin shqiptare ( si dhe popujt e tjere) per kete marrezi.

Shqiptare çohuni kunder kesaj thirrje te FMNse! Eshte turp qe nje qeveri shqiptare sidomos socialiste te jete dakord me kete.

Me keto pensione aqte ulta, me 50% pune ne te zeze, ku ke akoma shume hapesire per te mbledhur sigurime shoqerore, te rrisesh moshen eshte e panevojshme? 

Mamaja ime del vitin tjeter ne pension.

Interviste me D. Wellen, burimi Ballaweb:

Z. Rama, me fillimin e punës së qeverisë, ju deklaruat se gjendja financiare e vendit është kritike dhe arkat e shtetit thuajse bosh. A rrezikohet Shqipëria nga mungesa e likuiditetit dhe sa akut është ky rrezik? 
Ky rrezik nuk ekziston për fat të mirë. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e likuiditetit. Bankat kanë shumë likuiditet madje, por arsyeja përse ato nuk kreditojnë lidhet me ngërçin e madh ku e ka zhytur ekonominë borxhi i madh ndaj sipërmarrjes, me zinxhirin e këtij borxhi të shtrirë në hallkën që lidh sipërmarrjet me bankat. Ndërsa nga ana tjetër arka e shtetit është bosh. Por ne kemi një vizion dhe një plan shumë të qartë për të dalë nga kjo krizë duke filluar nga zgjidhja e ngërçit që mban të bllokuar ekonominë, duke mbajtur të bllokuar sipërmarrjen dhe duke bërë që edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të shënojnë një rënie si kjo që kanë shënuar në periudhën e fundit. 

-----

 

A thu do shtetzohen bankat ?smiley

 

ps: Fort i nerumi ben mire te mos lexoj intervisten, thote qe Shqiperia duhet ti kerkoje shum falje Gjermanise, ueueue si çrrotullohet rrota smiley

Ke fol mire Fiqo !

A esht e vertete qe tatimet dhe doganat do i outsorsen nji firme te huj?

Si e lam? Qysh vendosem? Do i reformojm apo jo?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).