Shërbimi social adreson nevojat e një numri personash që janë në nevojë. Në këtë grup përfshihen edhe fëmijët jetimë, të cilët marrin shërbim të drejtpërdrejtë nëpër qendrat e përkujdesjes. Numri total i jetimëve në Shqipëri përllogaritet të jetë rreth 31 mijë. Ndaj edhe është e vështirë që të jepet një panoramë e qartë e problemeve që mbart secili prej këtyre institucioneve. Duhen kryer vlerësime në secilin prej institucioneve dhe inspektime të problemeve dhe nevojave që ato kanë. Dhe kjo bëhet falë komunikimit me drejtuesit e këtyre institucioneve, por njëkohësisht edhe me ata që e marrin shërbimin. 

Për këtë “Shekulli” bisedoi me Albert Rekën, koordinator i Institutit Kombëtar të Integrimit të fëmijëve jetimë në Shkodër. E takuam në Tiranë, pranë ambienteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror. Kishte mbërritur për t’i parashtruar drejtoreshës së re, Etleva Bisha gjendjen e jetimëve dhe mangësitë e kushteve në disa konvikte në Shkodër. Ai na rrëfen në këtë intervistë situatat që e shqetësojnë më shumë dhe ndërkohë tregon për abuzimin me fondet, nga drejtues të papërgjegjshëm. 

Cila është arsyeja që keni ardhur në Drejtorinë e Shërbimit Social Shtetëror? 

Kërkoj vëmendje nga qeveria e re për sa i përket jetimëve, një vëmendje që nuk na erdhi nga qeveria e mëparshme. Çështje si punësimi, integrimi në shoqëri dhe strehimi për jetimët janë themelore për të drejtat e çdo individi. Në vitin 2008, është miratuar një status për sa i përket jetimit, ku trajtohet punësimi, ndihma sociale dhe strehimi, por unë konstatoj se nuk është zbatuar nga qeveria Berisha. Shpresoj të shtohet vëmendja sepse është për të ardhur keq për kushtet dhe trajtimin e tyre.

Si paraqitet gjendja e jetimëve në konviktet e qytetit të Shkodrës?

Gjendja e tyre, deri në momentin që flasim është shumë e keqe. Në qytetin e Shkodrës ka një konvikt për vajzat dhe një konvikt për djemtë e shkollës së muzikës. Sot, kam ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social për të takuar drejtoreshën e re, për t’i bërë me dije gjendjen e jetimëve atje. Në statusin e koordinatorit, por edhe nga përvoja jetësore, i tregova për vështirësinë në të cilën gjenden jetimët pasi dalin nga shtëpia e fëmijës. I kërkova që të parashikohet strehimi dhe punësimi i tyre. Unë sot kam krijuar familje dhe si njeri i rritur jetim, kam kërkuar kushte që të plotësojnë standardet e shërbimeve. Kam kërkuar gjithashtu që në kuadër të ndërrimit të punonjësve dhe drejtorëve në dikastere, të mos pushohet drejtori i shtëpisë së fëmijës në Shkodër pasi ai punon dhe ka dhënë kontribut maksimal. Aty ka shumë fëmijë, të cilët vijnë nga shtresa të ndryshme, fëmijë romë, fëmijë të mbetur jetim nga fenomeni i gjakmarrjes, etj. Kjo gjendje haset vetëm në shtëpinë e fëmijës, ndërsa në konvikte haset një tjetër realitet. 

Cili është shqetësimi juaj për fëmijët jetimë? 

Pjesa më delikate është dalja e fëmijëve jetimë në moshën 15-vjeçare në mes të rrugës. Mendoj se duhet të trajtohen të paktën deri në moshën 18-vjeçare, pasi për ta, mosha në të cilën braktisen është një moshë tepër delikate.

Cilat janë pasojat negative që keni konstatuar në lidhje me braktisjen e fëmijëve jetimë pas moshës 15-vjeçare? 

Dalja e tyre në atë moshë ka mjaft pasoja negative. Ata e gjejnë veten në mes të katër rrugëve. Detyrohen të punojnë në të zezë e në punë të rëndomta. Dhe kur nuk ia dalin, ata detyrohen të vjedhin, të grabisin edhe njerëz, në mënyrë që të jetojnë. I kërkova drejtoreshës për riorganizimin e shërbimit sepse është problem alarmant.

Po konviktet? Cila është gjendja e tyre? 

Konviktet ofrojnë kushte skandaloze higjeno-sanitare dhe ushqimi nuk është në cilësinë e duhur. Nga pamundësia për t’u integruar në jetë ata kanë jetuar dhe kanë krijuar familje aty. Kam takuar kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Z. Lorenc Luka, i cili nuk njeh strehimin e jetimëve. I kam kërkuar të zgjidhet problemi i strehimit por ka refuzuar të përgjigjet. Drejtoresha më priti dhe më premtoi se do të përmirësohen kushtet e shërbimit dhe kjo çështje do të zgjidhet.

*** 

Të hapen qendra rinore për jetimët 

Fëmijët mund të vendosen në një qendër rinore. Politika e shërbimit social shtetëror duhet të krijojë zgjidhje të tilla, që të hapë qendra rinore për të rinjtë jetimë, në mënyrë që atë mbështetje që kanë gjetur në institucionin e shërbimit të fëmijëve ta gjejnë në këto qendra. Pas kësaj moshe nuk mund të lihen fëmijët ende në këtë institucion. Në çdo vend të botës ndiqet kjo praktikë. Problemi në Shqipëri qëndron te nxjerrja e këtyre fëmijëve në rrugë të madhe. Pra, këtu duhet të riorganizohet struktura e hapjes së qendrave rinore për fëmijët pa kujdes prindëror. Duke lenë qendrat rezidenciale të ciklit 9-vjeçar, ata shkojnë në shkollë të mesme. Pra, ky komunitet ka nevojë për një shërbim ekstra. 

Ky problem nuk ndeshet vetëm në Shkodër. Ky është problem që i përket të gjitha rretheve të Shqipërisë. Buxheti i shtetit nuk është i varfër për të investuar hapjen e disa qendrave rinore, siç ndodh me fshatin Sos. Ata duhet të kenë shtëpizat e tyre rinore, siç ka familje një i ri i shkollës së mesme. Trajtimi në konvikt nuk është zgjidhje sepse të rinjtë kanë kushte specifike. Statusi nuk është për shoqatat. Statusi është për jetimët. Në qoftë se në ligjin për statusin e jetimëve thuhet se shteti subvencionon sipas mundësive, duhet të subvencionojë programet për jetimet, jo shoqatat. Shoqatat nuk i ka ngritur shteti. 

Ato janë ngritur nga një grup njerëzish, me projekte, me fonde etj. Shteti nuk mund të japë pará, për disa njerëz parazitë dhe të krijohet gjendja e mjerueshme, siç ka ndodhur me jetimët. Ky fond nuk duhet të ekzistojë më për shoqata. Shteti mund të subvencionojë. Të aplikojë me projekte dhe në qoftë se janë të besueshme t'i miratojë. Shteti nuk ka detyrime për shoqatat, përndryshe mund të hapë një strukturë vetë. Mund të ngrejë shoqatën qeveritare për jetimët. Shteti ka për detyrë t’i mbështesë shoqatat financiarisht, vetëm kur ka projekte në ndihmë të fëmijëve jetimë dhe jo të japë pará të thata.

"Në krye të shoqatës, një njeri i politizuar" - Reka nuk ngurron të akuzojë drejpërdrejt z. Kadri Alia, Presidentin e Shoqatës Kombëtare të jetimëve, që e ka politizuar gjithmonë çështjen e fëmijëve jetimë. "Ai është një matrapaz 73-vjeçar që ka marrëdhënie okulte me fondacione arabe dhe në kurriz të fëmijëve jetimë bën biznese, shpërdoron fondet dhe i ka lënë fëmijët në gjendje të mjerueshme. Ai ka më shumë se 20 vjet në atë post. Nuk e ka kualifikimin e duhur. Ai përdor paratë e taksapaguesve për të rritur performancën mashtruese, duke nëpërkëmbur fëmijët jetimë. Kontrollorët e kanë gjetur me defekte herë pas here por kjo është maja jetimë është përdorur në dobi të klaneve të caktuara politike.

Para dy vitesh, Kadri Alia i mori Ambasadorit të Arabisë Saudite një çek 41.000 euro dhe e mashtroi duke i thënë se do të jepen dhurata për 2 mijë fëmijë jetimë të cilët do t’i mbledhim në Pallatin e Kongreseve, dhe në atë ngjarje janë marrë fëmijë nga shkollat e kryeqytetit, të cilët janë trajtuar si jetimë dhe fondi është përlarë nga vetë presidenti i Shoqatës Kombëtare të jetimëve të Shqipërisë. Episode të tilla ka plot. Është për të ardhur keq që paratë e taksapaguesve shqiptarë janë përdorur nga një shpurë individësh", thotë ai për "Shekullin". 

4 Komente

" ...nxjerrja e këtyre fëmijëve në rrugë të madhe." smiley

Shqiperi hesapi. Sa çeshtje do dalin aty, e huuu, te shohim zgjidhjen e tyre. 

Pjer,  prisja nje analize te holle prej teje, dhe kisha deshire te te lexoja ..........

ceshtja e femijeve jetime, te dhunuar ose te trafikuar eshte me delikatja per ata qe vertet besojne se Shqiperia duhet te integrohet ne Bashkimin Europian, jo pse hyn tek kushtet qe na kane vene ato , po duhet t'a kuptojme vete qe pa nje baze te shendoshe per brezin e ri ne kohe te HERSHME, integrimi do te jete nje lloj forme e deshiruar e PERHERSHME

Turp per shtetin dhe turp per ata biznesmena ne Shqiperi qe me leket e nje benzi mund te rregullonin kushtet e kushedi sa femijeve. Ka vdekur solidariteti dhe njerzlliku.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).