Edhe sikur zëri i mjedisorëve të ngrihej më shumë, tashmë asgjë nuk mund t’i bësh bregdetit shqiptar të Adriatikut. Në Divjakë plehrat dhe sjelljet e degëve anësore të Shkumbinit e kanë mbathur gjirin me të njëjtin emër me një papastërti të patreguar.

Nëse pastoka nuk do ishte e begatë dhe e punuar, siç dinë ta punojnë vetëm lushnjarët, apo vongolat s’do kapeshin më nga peshkatarët, atëherë do të ishte edhe një tjetër zonë e tërë e vdekur për shqiptarët...

Nëse ke mundësi ta përshkosh në këto ditë rrugën që të çon nga superstrada drejt qetësisë së Divjakës, atëherë normalisht të shkon nepërmend se çfarë mund të ketë qenë në këtë vend, dekada të shkuara. Një i moçëm do t’i vinë kujtimet e të parëve të vet, ku shkurret, këneta dhe zbrazëtia ishte pa cak. Kurse një nostalgjik, menjëherë do të gjejë argumentin: Po të ishte ajo kohë, Komandanti do dinte se çfarë bënte. Lëbyrëse të gjitha përzihen në kokë, derisa diku në një nga ndërtesat, që është në cep të superstradës afër Lushnjes, shfaqet ai. Shkëlqim Bylykbashi, një koleg i hershëm gazetar dhe drejtues i medias vendase, na këshillon se ku do të shkojmë për të parë një nga ekosistemet më të dëmtuara të bregdetit të Adriatikut në Shqipëri. 

Drejt Shkumbinit

Vetëm se kjo nuk përbën ndonjë çudi të madhe për ata që e njohin mirë bregdetin shqiptar. Edhe në segmente të tjera ku derdhen lumenjtë, gjendja është po njësoj. Kjo është tema e parë që ndajmë me gazetarin, që ka përgatitur sistematikisht tema këndej, e së fundi, në më të shumtën në lidhje me bujqësinë. Ky i fundit është drejtimi ku banorët e ndjejnë veten shumë të fortë dhe bëjnë, njësoj si më parë, dallimin me bashkëkombasit e tyre. Restorantin e Pilo Lalës e lëmë pas pak minutash dhe një orë e gjysmë nga Tirana futemi drejt e në Çermë. Lëmë 7 Çermat dhe, me radhë, nga ikja e Çermës së sipërme Sektor, Shkumbinit, SulZotajt dhe nga Qafë Sulzotajt, shfaqet Divjaka. Në një anë udha të çon te Laguna e Karavastasë, ndërsa një tjetër të përcjell në sythin tjetër. Çimi, si pranon ta thërrasim kolegun, na drejton kah rrugës së re te Pylli. Shkumbini e ka lënë të qetë hapësirën, sepse nga mot e ka zhvendosur rrjedhën dhe tashmë traga e tij shërben që këtu të prehen mbeturinat e përcjella nga degët anësore. Dhe, vërtetë, i gjithë bregdeti, që tutje, duket i mbushur me papastërtitë që sjellin degët e lumit, ndërsa plazhi s’mund të jetë më kurrsesi si më parë. Është e vërtetë: Plehrat po fitojnë mbi gjirin e Divjakës, kurse deti është kreshpëruar me tokën. Ani, para se të shkosh, tashmë duhet të përshkosh pyllin e Divjakës, që dëmtohet sistematikisht me kurora pemësh dukshëm të degraduar. Më shumë akoma, pyllit i kanë hequr edhe postbllokun e kontrollit përpara, ku çdo makinë ose vizitor që duhej të përshkonte, i duheshin të paguante plot 100 Lek dhe, kuptohet, në më të shumtën e herës: fjalë inatçore. “Ishin katër autoritete që duhet të ndanin këto para: Ministria e Turizmit, Ministria e Bujqësisë, dhe dy institucione të tjera. Kjo e bënë konfliktin shumë të hapur”, na thotë Çimi. Në fakt, vendasit kanë bërë disa restorante, ndërsa po mundohen të venë në efiçencë dhe objektet e vjetra të plazhit. Është nga të paktët pyje të këndshme të mbetur që po rrezikohet çdo ditë, njësoj si të tjerët, por kjo është temë tjetër.

Papastërtitë

Tema jonë lidhet me Shkumbinin, që dikur derdhej aty, ndërsa prej kohësh është zhvendosur shumë më andej. Rëndësia e tij për shqiptarët e kalon konceptin e thjeshtë gjeografik. Megjithatë, këtij vendi, që nga tërheqja, i ka lënë leshterikët, prurjet e shumta dhe mbi të gjitha plehrat, që tregojnë mënyrën e sotme të jetesës së shqiptarëve. Nëse do të duhet të bësh një stratigrafi ideore të evoluimit të tyre urban, mund ta vëresh këtë nga mbetjet e shumta dhe turli-lloj-gjërash të paimagjinueshme, që i ke para syve. Brisqe Astra, shishet e dikurshme të qumështit, shapkat e NISH gomës, shishe, rroba ushtrie, plastika allasoj që nga ato të Durrësit dhe deri te të gjithë rrobat që tregojnë ecjen moderne të shqiptarëve. Këtu ndaheshin edhe Gegët me Toskët. Pra, lushnjarët toskë që kalonin andej lumit ‘ktheheshin’ në gegë?! Kujtoj vërtetë se edhe të gjithë të huajt, që pretendojnë se kuptojnë Shqipërinë, të pyesin direkt: Je Geg apo Tosk? Të duhet tu bësh një shpjegim të gjatë që dikur këtu ishte kufiri më i lartë i Epirit antik, që në shekujt V dhe VI, që ky lum ndante botën e antikitetit me Helenët dhe Ilirët etj. dhe që është thjesht konvencion. Por, jo! Misteri mbetet mister. Vetëm se, ky lum, që ndante qytetërimet, tashmë i menderos ato. Plehrat që sjell bashkë me ujërat e Dushnës, Radicinës, Bushtricës, Shejës, Hotolishtit dhe Dragostunjës e rrëfejnë açik të gjithë prekjen globaliste të shqiptarëve. Të cilat Shkumbini i shoqëron me të pëgërat e gjithë banorëve të Qukësit, Librazhdit dhe ato që merr me vete nga Polisi, Elbasani, Cërriku, Peqini dhe Rrogozhina. Të gjitha bashkohen me hapat e para të qytetërimit të shqiptarëve, për të sjellë këtë katrahurë, që më mirë të mos e shikosh. Ky lum s’ka qenë kaq i bezdisshëm nëse kujtojmë se dikur dy kanalet vaditëse, “Naum Panxhi” dhe “Ferras” e përcillnin ujin në hapësirën e Elbasanit, përmes një sistemi të tërë ujitje që plotësonte nevojat me ujë të fushës së Cërrikut.

Peshkatarët

Të gjithë këto ngatërrohen dhe përcillen, ndërsa jemi në rërën e mbathur me mbeturina, ku nga përtej duken peshkatarët të përkulur, që duket sikur rrëmojnë pakuptueshëm në ujë. Të duket si ndonjë nga ato fushnajat e orizoreve masive aziatike. Ecim disa qindra metra dhe na duhet zëri dhe takti i Çimit, për të afruar dikë prej tyre. Banorët e Divjakës janë të paqëm, ndërsa peshkatari që e thërrasim, me një palë çizme të gjata gjuetari, afrohet dalëngadalë. Fillimisht dyshueshëm, por pastaj me dialektin myzeqar, na rrëfen, pas ndërrimit të bisedave të momentit, për Shkumbinin dhe mbeturinat e tij. Komuniteti i peshkatarëve të Divjakës është vërtetë nga më të paqmit në vend. “Këtu në gjirin e Divjakës përplasen të gjitha. Vijnë plehra nga e gjitha Shqipëria dhe rryma këtu na i sjell. Pastaj nga Kanali i Dajlanit, vite më parë, para 15-20 vjetësh, vinte shumë pisllëk dhe gjithmonë është prishur plazhi i Divjakës. Nga lumi dhe degët e tij na vinë të gjitha mbeturinat…”. Stavri Zhuka, 45 vjeç, nuk flet më shumë. Na shpjegon se si jetohet këtu në mes të Semanit dhe Shkumbinit. Prej Jugës të gjithë rrymat vinë këtu dhe ndaj nuk kuptohet se çfarë nxjerr lumi më parë. Kthen kokën pas. Po i marrim kohë. Po. Kuptohemi.

Na sqaron se i duhet të rrijë orë të tëra në ujë shumë për të kapur me dorë ato që këta i quajnë vongola. Është mbijetesa e tij! Plehrat për të janë thjesht dekor. Rrinë të përkulur dimër verë dhe kryesisht paraditeve. “2 kile nxjerr dhe marr gati 700 lek, për kilogram. I shes menjëherë”. Si i kap? “Jo gjithmonë shesim. Varet nga koha. Është e vështirë, sepse behari ndryshon, kurse tani, sa më e ulët temperatura, aq më mirë është. Kanë dy vrima të vogla. Ne i quajmë varoçe. Vogula. Hynë te midhjet. Kap 2-3 kilogram dhe jo më shumë”. Janë një komunitet i vogël peshkatarësh, që mundohen të zgjidhin në këtë mënyrë jetesën, duke rrëmuar në ujë, dhe secili, me motoçikletën e vogël, kap në hapësirën e pamat të ujit pjesën e tij dhe nuk do të dijë se ç’bëhet me tjetrin. Nuk mbajnë dot doreza, sepse duhet të shikojnë se kur çelin vrimat, në mënyrë që t’i heqin nga nëndeti midhjet. Burri, që kemi përballë, ka një familje të thjeshtë dhe fëmijët i shkojnë në gjimnaz në Divjakë. Por, s’është keq dhe me tokë. Vetëm se tre dynymët që ka për frymë, i ka pranë zonave me kripë, afër pyllit të Divjakës. Pra, s’i hynë në punë. E pyesim për papastërtitë e shumta. Nuk i bën përshtypje, sepse vjen përditë këtu. Të paktën gjuajtjes së tij nuk i prish punë. Ka provuar dhe Greqinë, por s’ia ka dalë dot, kurse tokën e ka dhënë me qira. “Vjen deri këtu batica. Jetë e vështirë. Gjuajmë me rrjeta, sepse nuk gjuhet me dinamit dhe asnjëherë s’është bërë kjo...”.Si i shikon midhjet në ujin e turbullt? “Tani është i kthjellët. Kalon pak ledhin këtu. Kjo është kënetë tip spiaxhi. Që e ka lënë deti”. Nuk ju ngacmon dikush nga ata të fortët? “Nuk kemi qëlluar...por...”. Nuk të mërzisin këto e pyesim? “Kështu është e gjithë Shqipëria, - ma pret. Shkumbini dhe Semani, të paktën, shyqyr që janë...”.

Dhe Arqile Zaka...

Ai është tutje dhe, nga mënyra se si rri, më duket sikur është i gjymtuar. Është i përkulur disi, si sportistët që sprintojnë në akull me dorën pas. Na përgjigjet indiferent. “Po, kam punë”. A do afrohesh pak? “Po, më prisni”. S’kam kohë. Burri nuk përsërit ndonjë gjë më të madhe. Më thotë si i kap. Befas nxjerr dhe dorën tjetër. Lehtësohemi. “Na duhet të rrimë në ujë sepse është e vetmja gjë që dimë të bëjmë”. Pak më vonë është krejt i qetë. Është i qeshur pak dhe i saktë në përgjigje, por me një aksent të bezdisshëm. Është edhe shumë i sjellshëm. Zbutet tërësisht. “Nuk mbledh më shumë se dy kilogramë, dhe të mendosh se tani është më qetë, por në ditë tjetër është tmerr problem”. Po këto mbeturinat nuk ju pengojnë? - e pyesim. “Nuk na bëjnë neve gjë. Plazhit po. Por neve na bëjnë mirë se heqin njerëzit dhe ne punojmë rehat”. Deti i ushqen me varfërinë, ndërsa lumi me qetësinë. Duket se mbeturinat dhe plehrat ua bëjnë edhe më të qetë këtë mrekulli. Ndahemi, kurse ai kthehet sërish në punë, te vongolat e tij. Sërish burrat kundrohen në botën e tyre. Ikim.

...

Ndërsa kthehemi në qendër të Divjakës, në një treg të improvizuar në qendër të qytetit, dy peshkatarë presin më kot që dikush t’ua blejë peshkun. “Është mungesë organizmi nga pushteti lokal, se duke kontaktuar me shumë njerëz që merren me bujqësi, çuditem si lejohen kështu punët”, më thotë Çimi. Bujqit e Divjakës janë nga më punëtorët dhe kanë ndërtuar një infrastrukturë që e ndihmon cilësinë e produktit të tyre. Kjo i dallon me bashkatdhetarët e tyre. Të mendosh, toka këtu mbillet disa herë. Nëse do punohej më mirë, kjo do favorizonte shtetin, sepse privati këtu paguan taksat. Por edhe kaq është mirë. Këta njerëz kanë filluar të kuptojnë idenë e bashkimit, atë që i trembte në fillim të ’90 me fjalën e tmerrshme kooperativë. Po plehrat, pyes Çimin. Më shikojnë si UFO, ç’hyjnë plehrat këtu. “Jemi rehat dhe ty të kemi mangët”, duket sikur thonë. Po, është e vërtetë... dhe unë duhem këtu. Shkumbini, edhe pa ata dhe pa fjalët e mia, do të derdhë sërish rropullitë e tij. Sa për mjedisorët dhe të tjerët, këtu s’ka tagër njeri. Shkumbini vendos vetë për të vetat. I le vërtetë të qetë. Po fillon pranvera ’12.

*Shkrimi ka shfrytëzuar materiale nga Gjeografia Fizike e Shqipërisë 

Foto: Stavri, peshkatari duke ecur mbi degradimin e gjirit të Divjakës

15 Komente

Drejt Shkumbinit papastertite,peshkataret dhe Arqile Zaka...

Prandaj me dridhet trupi sa here qe duan te me shesin cilesine e plazhit ose produkteve te fresketa te detit ne Shqiperi... smiley

Po shikoja paketat turistike dje ...Ne nje ishull te Greqise(Kos)...Nje nga ishujt me te bukur, nje jave pushime me hotel 3yjeplus dhe biletat e avjonit 320euro..  smiley

E rendesishme eshte qe jemi te lire, qe levizim lirshem neper bote, qe marrim fryme dhe qe kemi liri te shajme si te na doje qejfi. Po qi qi temen te tjerave. 

PS. Perderisa plehrat dhe pislleku nuk ka ardhur akoma tek shpaja ime, mu as qe me ruhet hic. Po malok jam dhe nuk e them per mburrje.

Tani shpresoj qe keto fjale ti kesh thene thjeshte per te hapur debat,por gjithsesi s'kane pike sensi.Plehrat do vijne tek shtepia jote.

p.s.Uroj mos ta kesh thene per ironi se me vje gjynah per vetensmiley

Dora po m`nigjove mua fshije komentin. Kozi nuk flet naiher seriozisht. (E kuptoj se jam vete ashtu pranej). smiley Pershendetje.

I knew it.Por s'pendohem per komentin.Se zotrine ne fjale se njofin te gjithe.Po ta linim ashtu te padekonspiruar e hanin kallup rrobte edhe thoshin"ja shef,ene ky tek PPU-ja e meno si neve".Nruje i hudhe plenat na penxherja?smiley(estakfirrullah)

Sdq rrofsh Kavirsmiley

Degradimi i plazheve nga plehrat, ka per te sjell me pak njerez/turista drejt tyre. 

Te jete e vertete? Jo se po e ve ne dyshim fjalen tuaj, por thjesht dua te sigurohem qe po e lexoj tamam.

Dy filozof ka sot toka

Pjeri eshte njeri, 

e tjetri Nard Ndoka.

Kjo shprehja ishte e jotja apo e Nard Ndokes o shoku Pjer?

Paskemi qene duke e shkrojtur ne te njejten kohe, un bera edhe ter ate poezi smiley

 

Gjithashtu pirja e duhanit demton shendetin.

Djema, komenti nuk ishte per juve, por per te tjeret, politik-bersit smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).