Pykat”: ka qenë vetëm një nga korçarizmat e përdorur prej Fan Nolit gojëtar në fjalimet e tij politike të viteve 23-24 të shekullit të kaluar me kuptimin e njerëzve të trashë, të panxënë, gdhenj si me thënë, që qeverisin. Mund të ketë qenë një nga ato ndikime (meskine) korçare për të cilat ai vetë do të pendohej më vonë, kur në Vetëkritikën ... e tij ndër “mëkatet” që i njihte vetes rendiste me nr. 4: “Mëkat’ i ambientit. Tepër nën influencën e vegjëlisë korçare. S’lahet n’asnjë pus të Korçës”. U pendua dhe u mirëkuptua dhe ne nuk ia kujtojmë sot. 
* * *
Por, që në ditën e sotme një politikan – që mëton të jetë politikan dore së parë – t’u kthehet korçarizmave të tilla shpotitëse a qesëndisëse, me thirrje për të rrëzuar një qeveri, që e cilëson “të pykave”, duke ofruar një “kabinet” të vetin, të nënkuptuar si të “antipykave”, pra duke shtënë në punë shtampat e gojëtarisë që e ndihmuan Nolin këtu e gati një shekull më parë për të gatitur aventurën e 24-s, përbën problem politik më vete për realitetin shqiptar. Problem që nuk e zgjidhin puset që mund të kenë mbetur në Tiranën e Kryetarit. Rëndon edhe më problemi politik kur relikte të këtilla ligjërimore shfaqen jo në kuvendime sidokudo: ato dëgjohen në fjalimin e Kryetarit në një kongres të partisë që ai kryeson, deri edhe në fjalën e hapjes së kongresit, madje qysh në paragrafin e parë të hapjes në fjalë, shoqëruar nga duarpërplasje amatorësh të retorikës së një kryetari kuvendtar. Nuk është pra “Koncert në vitin 36”, por kongres partie në vitin 2010 i çelur nën motto-n e luftës kundër “pykave” të pushtetit dhe ofertës bërë të qeverisurve (virtualë) për “antipyka”. Përditësojeni, nëse jeni të zotët. Ndërkaq, kur recidivat e ligjërimeve me të cilat Noli gojëtar gatiti aventurën e 24-s vijojnë të përsëriten në nxitje – le t’i quajmë edhe mbështetje – të protestave publike dhe/ose grevave në bulevarde, atëherë shenjat bëhen edhe më të mprehta për vetë Kryetarin më shumë se për partinë që ai ka marrë përsipër dhe e kryeson. 
* * *
Nuk është fjala nëse Kryetari i sotëm i PS-së ushtrohet duke bërë croquis në tryezën e vet të punës, sikurse modeli i tij politik ushtrohej për t’i rënë flautit në zyrën kryeministrore ndërsa në Shqipëri mbërrinte kulmin “revolucioni” i tij. Fjala është: Çfarë kodi të ligjërimit politik na ofron për të zbërthyer Kryetari në fjalë duke iu kthyer fjalëkyçeve të shtampave me të cilat Noli gojëtar gatiti aventurën e 24-s? Çfarë funksioni mund të ketë në veprimtarinë e një opozite të sotme politike, qoftë edhe në protestat e saj – të mirëkuptueshme a të keqkuptueshme – kthimi te fjalëkyçet e ligjërimit politik të viteve ’20 të shekullit të kaluar? Kryetari fanolist në politikë do të duhej ta shkoqiste vetë ketë situatë: për sa kohë nuk ka marrë mundimin ta shkoqisë, atëherë çfarë kanë të drejtë të mendojnë qytetarët në Republikën e Shqipërisë që bombardohen – nëpërmjet mediave – me fjalimet e një mëtuesi për qeverisës të ndërtuara me të tilla fjalëkyçe ligjërimesh politike? Letërsi në një kongres partie? Letërsi në konferenca me mediat? Letërsi në podiume të protestave e të grevave? Do ta çmeriste edhe vetë Nolin, që nuk mungoi të shënonte për veten te Vetëkritika e përmendur: “Tepër letrar në një vend që s’këndon...”. 
* * *
Qytetarë në Republikën e Shqipërisë janë në të drejtën e tyre të pandehin se Kryetari i sotëm i PS-së, nëpërmjet një opozitarizmi të çuar në skaj, po u ofron si qeverisës (virtual) zgjidhjen e zgjidhjeve në politikën shqiptare: largimin nga qeverisja e Shqipërisë të të paaftëve – që të flasim me terma të drejtpërdrejtë jofigurativë – dhe zëvendësimin e tyre me të aftët që ka selektuar ai vetë rreth vetes. Por analogjia me fanolizmin politik të viteve 23-24 ç’hyn në këtë mes? Pa kurrfarë nevoje për analogji të tilla, prej Kryetarit në fjalë do të kërkohej të ftillonte të qeverisurit (virtualë) të tij, të cilëve u mban fjalime disa herë ditën dhe/ose në t’errur, se përse ministri (në hije) i Financave i gatitur prej tij qenkësh më i aftë nga ministri aktual i Financave, se përse ministri (në hije) i Arsimit dhe Shkencës i përzgjedhur prej tij qenkësh më i aftë nga ministri aktual i Arsimit dhe i Shkencës, se përse djaloshi simpatik i projektuar prej tij (në hije, afërmendsh) për ministër i Punëve të Jashtme qenkësh më i aftë nga ministri aktual i Punëve të Jashtme, dhe kështu me radhë. Është e lehtë të thuash se përse qenkëshin të paaftë ata “të tjetrit”, e vështirë është të dëftosh se përse janë më të aftë “të tutë”. Sidomos ta bësh këtë dallim në një shoqëri moderne që nuk vuan më për mungesë të aftësh, ku ata ofrohen me shumicë thuajse në çdo fushë: sociale, kulturore, shkencore etj. dhe nuk u mbetet veçse të konkurrojnë nëpërmjet të quajturit fair-play, me termin që një mik e ka për zemër. Këtë argumentim pozitiv i bie të bëjë një kryetar partie politike që konkurron me-tërë-mend për të ardhur vetë në pushtet dhe për të sjellë të vetët në pushtet, - veprimtari më se normale në politikë që do t’ia miratonte edhe z. Max Weber, - dhe jo të befasojë botën me citate studentësh të gjuhë-letërsisë. Ta kishte bërë këtë Kryetari në fjalë, edhe mund të kishte ndonjë shans që t’i bindë – politikisht – qytetarët e këtij vendi dhe t’i kthejë ata në të qeverisur (virtualë) të tij. Apo mos mendja e Kryetarit punon simbas parimit popullor “pykat nxirren me pyka”, duke qenë se kemi të bëjmë pikërisht me një kryetar që po duket ngaherë më shumë i gjithëdijshëm? Nuk dëshiroj të kuturis në hamendje. 
* * *
Dëshiroj t’i siguroj të qeverisurit (virtualë) të Kryetarit se, në u bëftë zëvendësimi i ofruar në bazë të parimeve të fanolizmit të tij politik, kurrfarë shprese për gjë më të mirë në Shqipëri të mos e ushqejnë. Boll të kujtohet se si e bëri zëvendësimin e “pykave” të kundërshtarit të tij politik me “antipykat” e veta modeli i lakmuar dhe recituar prej Kryetarit të sotëm: duke u ofruar të qeverisurve në Shqipëri një kabinet tejmase modest, me veten e vet, Stavro Vinjaun, Sulejman Delvinën, Luigj Gurakuqin, Qazim Koculin, Xhemal Bushatin (pa portofol) dhe dy kolonelët Kasem Qafëzezi e Rexhep Shala. Nga ana tjetër, dy kabinetet e viteve 23-24 mbas zgjedhjeve për Kuvendin Kushtetues, pra pikërisht ato që zotëria e tij i kishte quajtur “të pykave”, kishin pasur në përbërje emra politikanësh në zë për nga aftësitë e tyre, si Mufit Libohova, Kostaq Kotta, Iljaz Vrioni, Fahri Gjilani, Mustafa Aranitasi, madje edhe vetë Luigj Gurakuqin (15 prill - 10 maj 1924) dhe Benedikt Blinishtin, që Noli do ta mbante në krah. “Një ndërrim i përciptë i qeverisë dhe vetëm kaq”: kështu e quajtën edhe vetë mbështetësit e saj qeverinë që zëvendësoi “kabinetin e pykave”.    
* * *
Më të iluminuarin ndër figurat historike, më të ndarin në shenjë mes tyre, atë që e përmendim gjithë admirim e ngashëri, vetë Luigj Gurakuqin autor të “Vargënimit në gjuhën shqipe” (1906), të poezive shndriza si “Qendresa” ose “Deka e Zanave”, njëherësh ndër themeluesit e leksikografisë shqiptare me Fjalorët e tij etj., në aventurën e 24-s Noli i “antipykave” ua ofroi të qeverisurve si “ministër të Financave”. Si me thënë: çështja e Financave të një shteti modern u thjeshtuakësh në çështje “ndershmërie”, pa le të kesh ndjekur edhe studime për biologji, si i ndieri Luigj. Së paku në ish-qeverinë e Shefqet Vërlacit – “kabinet i pykave” për Nolin – Luigj Gurakuqi kishte qenë ministër i Arsimit. Si çdo romantik mbas dështimi, Noli ia pati borxh Luigjit, edhe për këtë aventurë, elegjinë që i përkushtoi.
* * *
Për t’u ndërgjegjësuar se sa dështak rezultoi projekti premtues i Nolit për të zëvendësuar “pykat” e kundërshtarit të tij politik me “antipykat” e veta nuk do të ishte keq të kujtohej se ç’katastrofë qe, për shembull, Ministria e Luftës që ai e sajoi me ushtarakët të cilët e kishin mbështetur në rebelimin e asaj vere. Nuk besoj ta lakmonte një të tillë Recituesi i sotëm politik i ligjërimeve të përdorura të Nolit. Ndërsa Zogu me trupa i afrohej kryeqytetit, bashkeksperimentuesit e Nolit vanë me vrap në Ministrinë në fjalë, e cila nuk po kundërvepronte aspak. E dini ç’përgjigje u dhanë aty? E tregon njëri nga “bashkëluftëtarët” në Kujtimet e veta: “Shkoni, mor bolshevikë, se tërë fajin ju e kini: muarët më qafë popullin dhe ne! Doni të na bëni bolshevizëm në Shqipëri!.. Urdhëroni, pra, e bëjeni tani!...”. Gjithsesi këta të “Luftës” ngjajnë më idealistë në krahasim me do të tjerë më praktikë: ata të Punëve të Jashtme, që morën me vete në Vlorë tërë kontingjentin e pasaportave për jashtë dhe i shpërndanë shoq për shoq, ose ata të Financave, që morën aty gjithë “gjendjen e arkës qendrore” (në rrugë e sipër edhe të financave e të doganave të Durrësit, Vlorës, Sarandës) dhe u ndanë nga “dy rroga” për kokë atyre që gatiteshin t’ia mbathnin tej detit. Duke bluar me mend se ç’do të mendonte për ta populli i Vlorës, që i kishte mbështetur dhe të cilit tani i kthenin shpinën, autori i Kujtimeve ka pasur ndershmërinë të shënojë: “Por edhe ky popull, ama, s’dolli as të na presë, as të na përcjellë...”! Nuk jam në gjendje të them nëse sot ndokush – i kurdisur me modelin fanolist në politikë – do ta dëshironte për veten dhe ndjekësit një përfundim të atillë.
* * *
Që të kthejmë te politika e Kryetarit armik të “pykave” dhe premtues të “antipykave”, a do të thotë e gjitha kjo që Kryetari i PS-së, nëpërmjet një opozitarizmi të çuar në skaj të skajit, po u përgatit qytetarëve të Shqipërisë së sotme një gjëagjëzë politikisht analoge me aventurën që gatiti Noli me ligjërimet e veta të viteve 23-24? Për cilindo lexues të pagabim të historisë politike të Shqipërisë është i qartë konkluzioni historik se ajo çfarë Noli me bashkeksperimentuesit gatitën në 24-n nuk ishte veçse një eksperiment antikushtetues. Kryekëput antikushtetues. Ende pa përfunduar eksperimenti Noli vetë nuk ngurroi ta pohonte antikushtetutizmin e tij. Në intervistën dhënë si kryeministër gazetës greke “Eleftheron Vima” (17 tetor 1924), pyetjes se çfarë ishte ajo që sapo kishte ndodhur në Shqipëri, iu përgjigj drejt: “Ishte më shumë një coup d’état [fr. grusht shteti, - A.P.] politik, bashkë me një pronunciamento [sp. rebelim ushtarak, kryengritje gazerme, - A.P.]”. Gjendet edhe te “Popolo d’Italia”, 22 shtator 1924. Shpjegim që i bën nder peshkopit savant, sepse mes studimeve të tjera, në SHBA ku kishte jetuar, kishte studiuar edhe shkenca politike në universitetin e Harwardit. Megjithëkëtë kjo e vërtetë politologjike nuk e pengoi që eksperimentin t’ia paraqiste popullit të vet si “revolucion”: kështu e quajti atë në Shqipëri deri në “Proklamatën e Kryeministrit” të dhjetorit 1924, kur shtrëngohej ta përfundonte eksperimentin dhe, së toku me bashkeksperimentuesit, të merrte ikën.
* * *
Kthimi dhe rikthimi i Kryetarit të një partie politike te shtampat e gojëtarisë që e ndihmuan Nolin për të gatitur aventurën e 24-s bëhet edhe më shqetësues kur qytetarë të këtij vendi dallojnë se një prirje e tij antiparlamentarizmi – e pakamufluar kjo qysh prej çastit kur çvlerësoi deri edhe pjesëmarrjen e vet në Kuvendin e Shqipërisë – përkon me aventurën e 24-s dhe me refuzimin konsekuent të parlamentit shqiptar gjatë saj aventure. E dinë tanimë shumë prej lexuesve zhgënjimin që provokoi Noli në Lidhjen e Kombeve me fjalimin e 10 shtatorit 1924, kryevepër retorike gjithë thumbatje, në të cilin mes të tjerave, gjithë kapadajillëk politik, e quajti institucionin e parlamentit jo vetëm “sallë ku mblidhen politikanët e pashpirt për të bërë prova operete”, por deri edhe “plagë”, “fatkeqësi të madhe”, “bestytni të shëmtuar” etj. Noli me bashkeksperimentuesit e kishin shkepur gjysmën e parlamentit nga Tirana duke e bartur në Vlorë: një ndërthurje e modelit bonapartist me atë mussolinian në organizmin e një grushti shteti nëpërmjet përdhunimit të parlamentit, dhe përkatësisht parlamentarizmit, shoqëruar njëherësh me rrekje për ta legalizuar atë po nëpërmjet një “parlamenti” të parealizuar kurrë, kështu e kam cilësuar në një shkrim të disa viteve më parë (18 dhjetor 2005). Kush të dojë mund të lexojë diçka edhe nëpër rragatjet në trajtë “debatesh opozitare”, të marra me stenografi prej Serafin Mazrrekut, të pjesës së anëtarëve të parlamentit shqiptar që qenë “strehuar” në Vlorë: vetë modeli i shkartisur bonapartist-mussolinian merr aty ngjyra origjinale “kombëtare” kur deputetët e Gjysmëparlamentit ngulmojnë ta ndërpresin hëpërhë “revolucionin” dhe të largohen, sigurisht jo për në ndonjë restorant, por për në shtëpi “për me festue Bajramin”. Noli i 1924-s e kishte bindje atë farë antiparlamentarizmi: nuk rezulton e vërtetë që ai vetëm se “s’pati kohë” ta organizonte atë. “Tani për tani, ne qeverisim pa parlament, dhe më mirë...”, i pohonte gazetës “Vreme” të Beogradit (13 qershor 1924). Edhe më keq i deklaronte gazetës bullgare “Svobodna Reç” se në Shqipëri “vetë populli” nuk ishte i interesuar për të kthyer jetën parlamentare: “sepse do që ta lërë qeverinë të punojë në qetësi për rimëkëmbjen ekonomike të financave të vendit...” (18 shtator 1924). Më keq ende i mburrej gazetës greke “Nea Imea”: “Qeveria e sotme shqiptare është më e fortë se të gjitha të parat, ajo e shpërndau parlamentin...” (10 tetor 1924). Madje edhe tjetrës gazetë greke “Skrip”: “Ne e shpërndamë parlamentin për të bërë disa kursime të nevojshme...” (17 tetor). Pa e zgjatur: ne ia mirëkuptojmë hirësisë pendimet te Vetëkritika e tij dhe nuk ia përmendim më sot. Sa për Kryetarin e PS-së le të shpresojmë që ai nuk ia po ia del ta shndërrojë sindromin vetjak antiparlamentar në platformë politike të vetë partisë.
* * *
Fanolizmi politik mund të shpjegojë edhe një tjetër “gjetje politologjike” parazgjedhore të Kryetarit të PS-së: konceptin novator politik “përtej së majtës dhe së djathtës”, që u kujtoi bojaxhinjve të thjeshtë paradoksin e vjetër latin “me nji kovë me u dhanë bojë dy mureve”. Elementi i vagullt politik që mbështjell historinë e aventurës së 24-s ka pasë lënë ndërdyzash më se një historian të saj: Ishte e majtë? Ishte e djathtë? Në ç’pozicion të spektrit politik do të duhej ta vendosë atë historiani? Tanimë, me mundësinë e shqyrtimit të lëvizjes së 24-s drejtpërsëdrejti mbi burimet dokumentare, e ashtuquajtura paradigmë bolshevike, të cilës ia kanë pasë brendashkruar këtë lëvizje, vjen e përplotësohet nëpërmjet prerjeve të saj me paradigmën fashiste, duke ndihmuar çdonjëra për të lexuar tjetrën. Në shkrimin e viteve më parë (2005) e kam pasë përshkruar se si lëvizja formësohej në maj-qershor të 24-s, fill mbas zgjedhjeve fashiste të prillit 1924 në Itali, ku kishte fituar “lista qeveritare”, e quajtura “listone”. Mes letërkëmbimit, mbajtur deri më sot secret, të organizatorëve të “revolucionit” në Vlorë me funksionarët e lartë të regjimit fashist në Itali, spikat një nga mesazhet e qershorit në të cilin Noli shkruante në italishte të pastër: “Non ci resta altro che pigliare le armi e marciare su Tirana, seguendo l’esempio classico del vostro illustre Duce”. (“Nuk na mbetet tjetër veçse të rrokim armët dhe të marshojmë mbi Tiranë, duke ndjekur shembullin klasik të Duce-s suaj të përndritur”) (DDI, serie 1923-1935, III, nr. 222). Duke llogaritur skandalin diplomatik fanolist në bashkëpunimin me “qeverinë bolshevike” të BS: miratimin e ardhjes së një ambasade sovjetike në Shqipëri, ndërrimin e mendjes politike mbas presionit ndërkombëtar, ardhjen e papritur të trupit diplomatik sovjetik prej 18 vetash në Tiranë, mandej dëbimin e tij si rezultat i kundërveprimit të diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar etj., ballafaquar me bashkëpunimin e fshehtë me Mussolinin dhe simpatinë ndaj rekurseve të Fascio-s, siç qenë jo vetëm aktet rrugaçërore të dhënies vaj recini “kundërrevolucionarëve” në mënyrë që këta të dhiteshin në brekë para “revolucionarëve”, por konstituimi i një Gjyqi Politik, ndalimi i kthimit në atdhe të të arratisurve, dënimi me vdekje në mungesë i kundërshtarëve politikë etj., shkurt fjala: me ndërthurjen e këtyre dy paradigmave nuk do të ishte pa gjasë të ndodheshim një ditë pikërisht përpara konceptit novator partiak “përtej së majtës dhe së djathtës”. Për ç’i përket Nolit të dikurshëm, siç e ka pasë karakterizuar njëri prej historianëve të tij realistë, “me këto veprime u tregua si i frymëzuar prej Don Kishotit, kurse mund t’i kishte vlejtur më shumë urtësia e Sanço Pançës”. Për ç’i përket Kryetarit të sotëm të PS-së, afërmendsh që eksperimentet për mbërritjen e “së përtejmes” në politikë rezultojnë sa jashtë kohe në vitin 2010, ashtu edhe jashtë vendi për Shqipërinë europiane. 
* * *
Edhe vetëm këto përqasje do të mjaftonin për të dalluar se sa ekstravagante – në kuptimin politik – rezulton analogjia që mund të orvatet të vendosë çdokush politikan i sotëm opozitar në organizimin e “qëndresës opozitare”, madje edhe të “protestave opozitare”, me diskursin politik fanolist të aventurës së 24-s. Tejmase i dëshpëruar politikisht – d.m.th. me shpresën të humbur për të konkurruar e fituar në garën politike – duhet të jesh që t’i kthehesh fanolizmit politik mbas afërsisht një shekulli prej dështimit të tij historik. (Mund edhe të kesh qëlluar i këshilluar keq: unë e kam një ide për dikë që mund të shesë këshilla të këtilla, por po e lë ta qesë kryet publikisht sapo që ta njohë veten te kjo fjali.) Që në PS ka njerëz që e dallojnë këtë ekstravagancë politike, nuk kam pikë dyshimi. Nuk di të them në do të jenë në gjendje ta shkurdisin Kryetarin e partisë së tyre prej diskursit të fanolizmit politik. Në PS mund të ketë edhe të atillë që nuk i keqkuptojnë qytetarët kritikë sa pa u ngritur Kryetari t’i cilësojë si skeptikë, madje si cinikë. Të jetë për cinizëm Kryetari në fjalë është cinik dhe mjeshtër i cinizmit, çfarë e vërteton edhe me ligjërimin politik që lakmon të imitojë: pa i llogaritur “pykat” që i mbetën në gojë, sikur vetëm fjalimin famëkeq para Lidhjes së Kombeve të kujtonim prej modelit që Kryetari reciton, do të na e mbyllte debatin historiani Joseph Swire që e ka quajtur atë “cynical criticism”. 
* * *
Ngulmoj, nga ana tjetër, në mendimin se kritikët edhe në politikë kanë rolin e vet, të rëndësishëm pa thënë thelbësor, ngase pa ta vetë politika do të kërcënohej prej rreziqesh endogjene. Në Shqipëri njerëzve kritikë nuk u kërkohet detyrë më e përgjegjshme se të denoncojnë pikësëpari mungesën e kompetencës: nuk e kanë ata fajin nëse, në një moment a në një tjetër, politika shkëlqen me mungesën e kompetencës së vet. Dhe më mirë ta ushtrojnë ata tani kritikën e tyre se sa qytetarët shqiptarë të presin me dhjetëvjeçarë, siç pritën Nolin një herë e një kohë, që t’i pranonte vetë dështimet dhe të shtinte në punë në Vetëkritikën e tij formulën e Voltaire-it: “La fin est triste, le milieu ne vaut pas grand’ chose, et le commencement est ridicule”. Shqip: “Fundi është i trishtë, mesi s’vlen ndonjë gjë të madhe, kurse fillimi qesharak”. Siç kuptohet, Noli e dinte frëngjishten që ç’ke me të, vetëm se e nxuri me vonesë formulën voltaireane.

9 Komente

E lexova dje, lene qe me pelqeu, por  vinte  direkt kunder progresistit.

Analize e holle, fakte, Shqiperi esapi.

 

Zotnia sherbetor i pushtetit  qenka mundur shume per te nxjerre anet e erreta te Nolit por me sa duket nuk ka bere gje tjeter vec se i hoqi ketu edhe ato hije te vogla dyshimi qe mund te kete pas mbi ate qe eshte padyshim njeriu me i madh qe ka nxjerre  ky memedheu yne keto 500 vjetet e fundit. Me fytyren e tij shbiruese qe te kujton nje personazh te famshem te Walt disney, spaska len vrime gjirizi pa u fut, i ka marre me rradhe gazeta fjalime ditare etj, dhe ne fund e ka vertetuar se :

Mund te kesh akses ne te gjitha arkivat e te kerkosh atje me vite te tera por asnjehere Nolin nuk ke per ta nxjerre si te korruptuar, hajdut, si mashtrues si shites te interesave te vendit apo thjesht si tradhetar, e shumta qe ti mund te besh eshte ta akuzosh per naivitet.  Kaq. Nga ana tjeter ata qe kishin pushtetin ne duar para dhe pas 1924 i kishin te gjitha keto vese te mbledhura bashke, dhe eshte ne nderin e Nolit qe u mundua per ti heq shushunjat nga qafa e shqiptareve.

Zotni Salist, Nuk mund te quhet  as Rama e as ndonje politikan tjeter ne Shqiperi Fanolist, se ju ben nje nder qe as e meritojne e as kane per ta merituar ndonjere. Fan Noli ishte politikan i madh e jo thjesht mi gjirizi, sic ka sot me mijera ne Shqiperi, se eshte njeriu qe ka bere te mundur mbajtjen e Shqiperise se jugut ne kufirin administratif . Ka shkrime ne gazeta greke te kohes dhe te historianeve greke te sotem qe e akuzojne Nolin ne rradhe te pare per humbjen e Epirit te Veriut, por askush s'e denigron se s'mund te denigrohet nje gjeni por vetem te pershendetet e respektohet. 

Z. Fan Noli ka dhene kontributin kryesor ne pavaresimin e KOASH, dhe s'eshte pak, per kaq pak gje serbet, Saven e kane bere shenjt dhe mjafton te shikosh  gjendjen e KOASh sot per ta kuptuar punen e madhe qe ky shqiptar i madh ka bere e per te cilen do te jete i nderuar dhe i respektuar gjithnje nga Shqiptaret.

 

Po Konica, kush i bi me qen, avokat Ngjela?

Cfare i detyron njerzit te merren/shkrujn domosdoshmerisht politik ne memedhe?

Ja t'i vëmë një pykë kësaj vrimës që hapi Plasari. Ferdinand Xhaferri, ministër i kulturës ju lutem shumë, është mjaftueshmërisht i trashë për të zënë gjithë vrimën e Plasarit. Ai që "ka hyrë në bisedime me qeverinë italiane për të sjellë eshtrat e Ismail Qemalit në mëmëdhe".

Nëse një person i tillë, nuk është i denjë për tu quajtur pykë, atëherë unë nuk e di kush mund të quhet më.

 

 

se përse ministri (në hije) i Arsimit dhe Shkencës i përzgjedhur prej tij qenkësh më i aftë nga ministri aktual i Arsimit dhe i Shkencës,

pergjigja e kesaj pyetje do me interesonte vecanerisht.

 

 Ne kete  Plasar,  te  "plasur", ne keto rreshta  gjithe zgjyre,   njeriu qe e ka mesuar shqipen  mjalte, ndjen t`i merren mend e kokes.Nuk mundet te  mos ndjeje nje dhimbje te thelle, per derexhene ku katandiset njeri, qe di te beje  ne pakufi sherbetorin.

   Flet per F.S Nolin...! Per artistin tone mendimtar, per personalitetitn brilant  politik me diapazon te gjere krijues dhe me potencial te fuqishem intelektual, me interesat e gjithanshme  dhe diturine e madhe, i cili, per ata qe diten ta lexojne, e  çmuan si  njeriun e Rilindjes evropiane.Per ate flet ky palo burre...!

  Siç ishte e gjere jeta e tij, shtrire ne tri epoka historike dhe e perhapur ne  disa kontinente, ashtu  u paraqit  gjithe vepra  e atij korifeu te gjithanshem, poliedrike e polivalente, ne hapesirat e artit dhe te mendimit shqiptar.Bashke me keto, mbeten te pandara edhe  trashegimite  gjigande  te F.S.Nolit, qe  la si kritik letrar brilant dhe muzikolog.

   Krejt ndryshe prej  lodhjes te "nje palostudjuesi " qe germon  fundomat me ere, te se shkruarave, ne te shkuarat, ku gjithkush e merr me mend sa  e si ka qene mendimi intelektual i kohes,  ne ato te shkruara.  Noli pati  si pakekush  prirjen e krijimit  dhe pasionin e studimit, nje binom i pandare, si dy gurra qe ushqyen njera tjetren, tipar ky  qe  nuk e gjejme tek asnje  intelektual jo me shqiptar, por as ballkanik.Per nje artist te shquar si F.Noli,  nuk ishin te huaja asnjehere problemet  e studimit, te vleresimit e te  gjykimit, per  teresine e problemeve, por ne menyre te veçante  ato politike, te fushes se letersise dhe  artit ne pergjithesi, por edhe te autoreve dhe te  veprave te veçanta letrare me permasa botrore.

   Duke vijuar me traditen me temire te Rilindjes evropiane, , gjithenje duke zbatuar  strategjine  e saj kulturore e artistike, nen nje fryme  iluministe, Fanoli,  e veshtroi letersine dhe artin ne veçanti, si  pjese dhe shprehje e  e luftes per emancipimin    dhe afirmimin  kombetrar te popillit tone.Ai mebeti dhe do te mbetet, ne jete te jeteve, pionieri i pare i asaj plejade intelektualesh, te cilet u futen ne lufte aty nga fundi i  i Rilindjes, por ndikuan fuqishem ne mpiksjen e levizjes  çlirimtare duke i dhene asja jo vetem forca dhe energjite e reja,  por mbi te gjitha konceptet e format e reja, me te qarta e me te perparauara, te shoqeruara keto me  nje kulture  e pergatitje  intelektuale  te pasur e te qendrushme.Me figuren e atij burri te ndjere, mund dhe ju be balle  demagogjive  e agresionit  politik dhe kulturor  te gjithe armiqve, qe ishin vertete te shumte, kunder kombit tone."Monumenti i tij gjigand e  poliedrik"  i misheruar ne te gjitha sa foli, shkroi,  interpretoi, kritikoi, kendoi,  politizoi dhe na i la  te gjitha keto  si trashegimi, beri qe te  konsolidoheshin  themelet  e kultures  shqiptare dhe fizionomia e saj kombetare.Noli ishte e do te mebetet  "guri me i rende" bazal, ne murin e  itelektualeve militante, ku po te  vendosim sikunder dhe rrine ne ate murosje,  Fishten, Gurakuqin, A.Xhuvanin, H.Mosin etj, do te bindet edhe ai, qe  akoma nuk e ka perfunduar klasen e katert te ciklit te ulet, se keta  mbeten ata.... qe çelen brasdat e para ne studimet shqiptare.Noli eshte pamedyshje "gjigandi" i atyre. Dhe mu per kete, eshte e do te mbetet  "gjigandi  yne" i letrave dhe i mendimit intelektual,  ne jete te jeteve.

    Kush  mbetet i qete per nga  idete, i sjellshem ne vemendjen per te studjuar, i paster  nga "llozherat intelektuale"qe  kane mbytur e shitur  shpirtrat,  qe  kane mbuluar krejt trojet shqiptare, i imunizuar prej semundjes qe kapi "Turi Marcelinin"(semundja e plakjes para kohe te  trurit, nga lufta e brendeshme mes dijes dhe humbjes se vetdijes) ai qe  "gjen forca" edhe pse i semure rende, per ta quajtur veheten "studiues" si ky Plasari, do te shofi Nolin e "dekades se pare"  te veprimtarise se tij, ne levizjen tone  kombetare dhe  nuk do ta kishte hiç te veshtire te vinte re jo ato qe nxorri, duke vjelle prej ligesise se brendeshme, por se si tek Noli i asaj perjudhe ishin bashkuar  patriotizmi dhe guximi  i nje militanti  me kulturen dhe  interesat( jo ndaj  nje pushteti per  post, sa nje bibliote-kar) intelektuale  te nje riu serioz e plot vullnet.Duke qene poliglot, si asnje tjeter ne radhen e moshes se tij,  me nej natyre studjuesi te paperkulur, u shfaq se e njfte  mjaft mire letersine e filozofine, historine e sociologjine.Dhe ishte  intelektuali me  njohuri solide, qe nuk lajthiti ne asnje fushe.Diturite e tij kapnin  fusha te ndryshme te kultures,  te lindjes e te perendimit, te antikitetit dhe te koheve te reja, dimensione keto qe terhoqen  vemendjen e intelektualeve me ne ze te kohes se tij.Shkrimet e tij te botuara ne  "Drita", "Kombi", "Albania","Dielli", qe rralle  u kishte takuar lexuesave te  kendonin me ate lloj  pergatitjeje intelektuale, me ate njohje aqe te thelle te problematikave, te kultures, letersise, artit etj.Per nevojat e emacipimit kombetar, ai do te fliste shqip, per Aristotelin, Platonin( del dhe sot nevoja te permendim sa ka thene Noli nga  filozofia e shkolles Platoniane)Herodotin, Strabonin etj.Ai foli edhe per Hegelin e Kantin, Shekspirin dhe Volterin e pastaj per te mbritur gjer ne kohen e Ibsenit e te Hauptmanit.Por mbi te tera keto, nuk duhet harruar, se Noli vinte prej nje ngulimtei veçuar tei diaspores shqiptare( ku shume "intelektuale"   te ndodhur ne te njetat ngulme, shifini si flasin e si paraqiten, ca "biçime ushtaresh   pa rreshta"me mdnime qe dhe Shvejku do te tallej ne pambarim, po t`i degjonte sot, e pa asnje dell  miresie  dhe kontributi ne te miren e kombit te tyre. Jargosen ne marrezine e perhumbjes ase vetdijes) por qe shume shpejt njohu dhe vleresoi larte e ndjehet shume krenar  per traditen  mendore e letrare te atdheut te vet, teksa e degjojeme dhe e kendojme te flasi me aqe nderim per kolose si  Bogdanin, Bardhin,Veqilharxhin, Kristoforidhin, Kulluriotin, Naimin, Samiun, Mitkon, Vreton, De Raden  e Vasen etj.Se Noli ishte artist i madh, qe kishte formimin e thelle  aftesine, kulturen, shpirtin e tij te madh det.Kishte dashurine e pakufishme per njeriun, ne menyre te veçante te kombit te vet, veti keto qe nuk e lejojne imazhin e tij dhe shpirtin e tij te endur neper Atdhe,   te merret me  sojsezet e kohes, si Plasari...  

   

 Aureli, ka bere nje lidhje te gabuar, sepse Edi+Berisha+ter politikanet shqiptare te tranziscionit, nuk i vijne as tek maja e thoit Fan Nolit. Me artikullin e tij, ai ka dashur qe me nje gur te vrasi dy zogj, mirpo te dy zogjte ndryshojne shume nga njeri-tjetri. I pari (Noli) ishte idealist dhe i dyti (Edi) eshte pragmatist. I pari vuante per Shqiperine, dhe i dyti do qe Shqiperia te vuaj per te. Figuren e Nolit e kane studiuar shtete te ndryshme, intelektual te ndryshem, per te flitet kudo ne bote, ndersa per te dytin nuk e di as nje shtet se ku jeton. Ketu nuk flas per disa organizata (njerez me sakte) qe me parate e OKB dhe BE, kane per detyre te organizojne konkurse stimuluese per bashkite dhe komunat kudo ne bote. 

Per Aurelin kisha respekt si studionjes, respekt qe mu shtua qysh kur lexova nje poezi te ish gruas se tij Mimoza Ahmeti (ne mos gaboj, me korrigjoni nese e kam gabim), poezi qe e fyente potencen seksuale mashkullore te Aurelit. Kur lexova ate poezi; thashe me vehte; Po kjo tyryfyçke, çfare kerkon tek nje intelektual, pse nuk kenaqet qe e ka burrin intelektual. Mirpo tani mendoj se Aureli i shkrete paska rrjedhur (me sakte eshte pjerdhur) jo vetem nga poshte por dhe nga siper, nga koka. Me vjen vertet keq per te. 

Miresevini ne KOP-in e ri! 

Plasari duhet ta dije qe pozicione si drejtori i BK-se nuk lejojne deklarata politike.

Fan Noli per nje kryeveper te tij qe ka bere, per ate kontribut qe ka dhene per Shqiperine dhe identitetin e saj si komb, hyn ne panteonin e burrave me te shquar te kombit dhe ne kete kontekst i ka te falura te gjitha nga ne, pasardhesit e tij. E kam fjalen per autoqefaline e Kishes Ortodokse. Por kjo nuk na pengon qe te merremi me rrugen politike te Nolit, apo fanolizmin politik (por edhe me veprimtarine e tij ne fusha te tjera), gje qe e ka bere edhe vete Nolin te reflektoje kohe me pas, aq me shume kur nje dikush ne politiken aktuale merr si model (ne ligjerim) nolizmin e viteve 20. Ketij politikani qe nuk pranon se eshte i tille i duhet kerkuar nje pergjigje dhe sqarim per diskursin politik nolist qe perdor sot dhe disa pika ku takohet me Nolin e viteve 23-24 si antiparlamentarizmi etj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).