"Të harruarit" që riktheu në kinema regjisorin spanjoll, është shpallur nga UNSECO "Memorie Botërore". Tirana i bën sot homazh. E prezanton regjisori Javier Rebollo


"Ky film tregon jetën e vërtetë. Nuk është optimist." Prologu i ngjarjeve që ndodhin në Meksiko në vitet pesëdhjetë në filmin "Los Olvidados" (Të harruarit), i vijnë prej natyre regjisorit Luis Buñuel.

Mungesa e optimizmit është fole e dëshpërimit. "Ai na mëson si të dyshojmë" thoshte kolegu francez Francois Truffaut për pionierin e kinemasë surrealiste dhe kritikun social më pas.

Me këtë vepër i bëhet homazh kineastit spanjoll, sot në mbrëmje në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi" e cila në bashkëpunim me Ambasada e Spanjës ka organizuar këtë projeksion.

Gjatë këtyre ditëve në "Marubi" ka qenë i pranishëm regjisori spanjoll Javier Rebollo. Ky emër është disi i njohur për publikun e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë ku Robello konkurroi vitin e shkuar u shpall fitues me filmin "Gruaja pa piano", ndërsa protagonistja Carmen Machi u vlerësua Aktorja më e Mirë. me këtë vepër ka fituar Çmimin e Parë në Festivalin e Kinemasë në Los Angeles, dy çmime speciale në festivalin e Kinemasë në Nantë dhe ndër të tjera edhe çmimin e Kritikës Ndërkombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Montevideos.

Sot në orën 17.30 regjisori spanjoll iu jep fund leksioneve në Akademinë "Marubi" mbi temën "Misteri i vënies në skenë dhe ndërtimi i imazhit kinematografik" që mbajti prej 17 majit. Ai do të bëjë një prezantim të figurës kinematografike të Luis Buñuel-it (1900-1983), dhe në orën 19.00 projektohet "Të harruarit".

Është një vepër kyçe e Buñuel-it. Së pari e ktheu atë nga periudha e gjatë e heshtjes.

Autori i "Qenit andaluzian" (1929) dhe "Kohës së artë" (1930), kalon një periudhë të gjatë akumulimi pa bërë gjë. Largimi përgjithmonë nga Spanja me fillimin e Luftës Civile dhe frankizmit, përvojat në Nju Jork dhe në Hollivud që megjithatë nuk lënë ndonjë gjurmë në krijimtarinë e tij, dhe mbërritja në Meksikë. Dy tre realizime për të ardhur te "Të harruarit" (1950).

Buñuel sapo kishte marrë qytetarinë meksikane, kur realizon këtë film për Meksikon, për qytetin e pasluftës, për fëmijët e lagjeve të varfra, të ushqyer keq, pa mundësi mjekimi dhe shkollimi të prirë për krime. Fëmijët e tmerrshëm të Meksikës për të cilët flet historia e Pedros, viktima që pjellin dhunë.

Filmi fitoi çmimin e Regjisorit më të Mirë në Festivalin e Kanës në vitin 1951. Dhjetë vjet më vonë krijimtaria e Buñuel-it do të zhvendosej në Francë, që shënon periudhën e dytë të rëndësishme të tijën me "Le journal d'une femme de chambre" (1964), "Belle de Jour" (1967), "Le Charme discret de la bourgeoisie" (1972) dhe "Cet obscur objet du désir" (1977).

Por "Të harruarit" është një vepër kyçe edhe për çështje të formës. A do të çlirohej Buñuel nga ekspresionizmi dhe surrealizmi i dy të parëve, "Qeni andaluzian" dhe "Koha e artë"?

Filmi ka elementet kryesore të një kinemaje në epokën e pasluftës. Por lloji i neorealizmit që Buñuel përdor te ky film i zi është quajtur edhe shkas. Narrativën realiste ai e ndërpret me sekuenca të ëndrrave dhe imazhe surreale.

Regjisori do të pohonte më vonë se bashkë me edukimin fetar (ai është njohur si kritik i kishës dhe po edhe si ateist) dhe "janë dy gjërat që kanë lënë gjurmë në jetën time".

"Të harruarit" e bëri regjisorin më të rëndësishëm të gjuhës spanjolle. Buñuel jetoi në Meksikë deri në vdekje.

Në vitin 2003 filmi u shpall nga UNESCO Memorie Botërore, me vlerën e një dokumenti të rëndësishëm për jetën e fëmijëve në qytete të mëdha.

1 Komente

duhet shkuar ketu patjeter. finis, ose ndonje tjeter, a me ndihmoni dot te gjej los hurdanos te bunuelit, mundesisht ne menyre pirate?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).