Në çdo grevë tjetër urie flasin, përmes sakrificës sublime, më të dobëtit.

Por në grevën e Tiranës, të fuqishmit po luajnë rolin e të dobëtit; po kërcënojnë me sakrifikimin e të gjithëve për të gjithë, në emër të lirisë. E pa dëgjuar ndonjë herë! Një grevë urie mesianike, e Kombit për Kombin nuk ka kuptim, për të mos thënë është shkatërrimtare! Ajo nuk ka asnjë vazhdimësi konceptuale, pasi shpalljet e saj shpërqendrohen në heterogjenitetin e interesave nga më të çuditshmet!

 

Do të ishte interesante që mes gjithë kësaj rrëmuje politike, qarkullimi rrugor, lumi fjalësh, letrash të hapura, seancash dëgjimore në Parlamentin Evropian, debatesh televizive, mjekësh e barrelash, të kishim dy minuta kohë të kërkonim të gjenim se cili është përcaktimi i termit “Grevë Urie”, aq më mirë do të ishte sikur të kishim ca më shumë kohë e të lexonim raste grevash urie të ndodhura nëpër botë.
Do të kishim gjetur fakte interesante, si p.sh:
Përcaktimi për “Grevë Urie” është ai i një mjeti presioni, jo-të dhunshëm, i cili vihet në përdorim për të sensibilizuar vendimmarrësit për ndryshime politikash, me qëllim që të përmbushen kërkesat e qarta të grevistit/grevistëve. Historiku i grevave të urisë, të ndodhura gjatë viteve 2000, janë përdorur si mjete proteste në shumicën e rasteve prej të burgosurve, prej refugjatëve, prej gazetarëve apo tek-tuk edhe nga ndonjë lider i ndonjë partie të vogël opozitare. Veçanërisht të shumta janë rastet e urisë tek të burgosurit, të cilët protestojnë për respektim të të drejtave të njeriut në kushtet e vuajtjes së dënimit.

Një moment i rëndësishëm në historikun e grevave të urisë është debati mbi etikën mjekësore, në rastet kur grevat përfundojnë me ushqimin me forcë të grevistit. Këtu si ’case study’ përdoret greva e urisë së të burgosurve të Guantanamos. Shumë studiues kanë debatuar nëse do të ishte etike apo jo të ushqeje me forcë një njeri që ka vendosur të ndërmarrë një sakrificë ekstreme, në emër të një kauze personale apo të një grupi interesi, me vetëdije të plotë dhe me përgjegjësi personale. Ushqimi me forcë është cilësuar si një dhunim i të drejtës së njeriut për të protestuar me vdekje. Studiues të tjerë thonë se ky dhunim i të drejtës për protestë me vdekje duhet bërë në emër të një vlere më të lartë, që është vlera e jetës njerëzore. Jo rrallë grevat që mbahen më shumë mend janë ato që kanë përfunduar me shuarje të jetës.  Grevat e urisë, në respektim të plotë të mesazhit të sakrificës ekstreme që duan të përçojnë, kryhen zakonisht në ambiente të mbyllura, në mos të rrethuara mirë, me hyrje dhe dalje të kontrolluara, me shmangie të kontaktit me njerëzit e tjerë, me vuajtje të plotë në heshtje.

Numrat e personave që futen në grevë urie, rrallë herë i kalon të 100, rastet më të shpeshta janë ato me 10 apo 20 persona, pasi një sakrificë sublime ndërmerret nga një pakicë përfaqësuese në emër të një grupimi të caktuar interesi. Qëllimi i grevave të urisë nuk është shuarja masive e jetëve njerëzore, por sakrifikimi sublim i disave, më të spikaturve, në këmbim të një përfitimi të caktuar. Mbi të gjitha, greva e urisë është një mjet shprehës, presioni dhe sensibilizimi, ndërmarrë në kushte dëshpërimi prej një grupi njerëzish që ose janë ekstremisht të margjinalizuar, të dhunuar, të përçmuar, që u janë mohuar të drejtat për t’u shprehur, ose që kanë pak ose aspak mundësi për të ndikuar në vendim-marrje.

Së fundi, grevat e urisë kanë qëllime të formuluara shkurtazi dhe qartë. Do thotë dikush, nuk kemi nevojë të lexojmë, ne po përjetojmë vetë këto ditë një grevë urie, iniciuar nga Partia më e Madhe Opozitare në vend, që ka për kryetar një Kryetar Bashkie (të Kryeqytetit), me pushtet të ligjëruar mbi qytetarët e Tiranës, një parti që ka për anëtarë njerëz që kanë pasur, kanë dhe ndoshta do të kenë, pasuri intelektuale dhe financiare, që kanë gëzuar, gëzojnë dhe do të gëzojnë ndoshta sërish pushtet (parlamentarë dhe qeveritarë), një parti që ka një elektorat të gjerë që duket se e dëgjon dhe e mbështet, një elektorat që përbën një forum të deklaruar mbi të cilin mund të shprehen lirisht liderët e saj.

Iniciativa e kësaj partie të pushtetshme, partia e dytë përfaqësuese e popullit në Kuvendin ligj-bërës, ka ngujuar në sakrificë ekstreme 220 persona.
Këta 220 persona në një pjesë të mirë janë deputetë, me shumë zë në vendimmarrje, figura të njohura që i dëgjojmë përditë (por kush i ka dëgjuar përditë grupet e margjinalizura të të burgosurve psh?) shumë prej tyre janë funksionarë qeverisjesh vendore, të njohur për elektoratin sepse u kanë bërë të ditur alternativën e tyre qeverisëse (ca herë fituese e ca herë jo, por kështu e ka demokracia!) të tjerë janë sindikalistë (të cilët të drejtat e tyre i kanë kërkuar herë pas here në forma ligjore), të tjera akoma janë pronarë që synojnë t’u kthehen pronat, të tjerë studentë, ca të tjerë emigrantë që janë bashkuar me grevistët për një sërë arsyesh.

Në këtë grevë urie, flitet për shumëçka: Mallakastra Martire! Studenti që ka lënë karrigen e auditorit sepse Kryeministri i vendit të tij ia dogji rininë në ’97! Gruaja ardhur nga Gjermania që lufton për të marrë pronat e saj (Keni ardhur enkas për grevën Zonjë? – Jo, përgjigjet zonja, kam 2 vjet që kam ardhur)!
Një djalë që përshëndet të rinjtë e Fierit!

Kryetari i sindikatës së naftës, që PD e hoqi nga puna sepse edhe Kryeministri kënaqet kur nxjerr njerëz nga puna, prandaj i ka orët e numëruara, se ka 20 vjet që na ka nxirë jetën! Na ka mbyllur lirinë në kutitë e 28 qershorit, por Causa jonë do fitojë! Pastaj është edhe Frida, një ish e persekutuar në Itali, që na përshëndet në emrin e saj. Është edhe mbështetja e të mençurit Dritëro Agolli, i cili edhe ka përshëndetur gjithë grevat e urisë si mjet demokratik.
Ka edhe Zonja të nderuara që sakrifikojnë në emër të lirisë.

Këta 220 grevistë janë HERONJTË, para të cilëve organizatorët e pushtetshëm bien publikisht në gjunjë. 220 grevistët të kujtojnë, madje, ata që i dhanë DËRRMËN NAZI-FASHIZMIT, janë luftëtarët në emër të dritës. Janë ata që po shkruajnë një histori të re që do të shkatërrojë historinë e vjetër, sepse Liria dhe Demokracia e vendit është në rrezik! Këto janë mesazhet që vijnë nga sheshi përpara Kryeministrisë, nga foltoret përpara çadrave të të ngujuarve, bashkë me nderimin për vuajtjen e tyre fizike. Por jo vetëm kaq, prej andej bëhen thirrje për më shumë të ngujuar, për më shumë përkrahës, për solidarizim të më shumë studentëve që në vend që të rrinë ulur në kafene, të bashkohen te çadrat, sepse në to luftohet për të majtë e të djathtë, luftohet për t’i dhënë fund dasive për shkak të bindjeve; të bashkohen edhe NGO-të, sepse në çadra luftohet edhe për të drejtat e fëmijëve.

Paçka se aty brenda po vuajnë! Le të vuajnë të tjerë akoma! E pra, kjo na qenka një grevë urie unike në llojin e vet! Kërkoka të shpëtojë kombin, duke na ngujuar mundësisht të gjithëve, pa dallim feje, origjine, seksi, moshe...

Në çdo grevë tjetër urie flasin, përmes sakrificës sublime, më të dobëtit.
Por në grevën e Tiranës, të fuqishmit po luajnë rolin e të dobëtit; po kërcënojnë me sakrifikimin e të gjithëve për të gjithë, në emër të lirisë. E pa dëgjuar ndonjë herë! Një grevë urie mesianike, e Kombit për Kombin nuk ka kuptim, për të mos thënë është shkatërrimtare! Ajo nuk ka asnjë vazhdimësi konceptuale, pasi shpalljet e saj shpërqendrohen në heterogjenitetin e interesave nga më të çuditshmet! 

Një grevë urie e një partie politike për qëllime që tejkalojnë ato politike është kundra-sens. Një parti politike që legjitimon grevën e saj në terma moralë dhe absolutistë, nuk është më një parti politike, ose të paktën jo më një parti e tipit të demokracive perëndimore, të cilat politikën e kanë procedurale.

Kjo është një grevë urie masive, por një grevë e tillë është pa rrugë-dalje! Krye-organizatori i kësaj iniciative, nuk është përzgjedhur për të bërë liderin shpirtëror të këtij kombi. Është përzgjedhur të përfaqësojë kombin në institucionet e krijuara për të qenë në shërbimin të kombit. Nëse një kryetar partie pretendon Shpëtimtarin, për herë të disatë, duhet të konsiderojë seriozisht faktin se mund të jetë punësuar në organizmin e gabuar.
E prapë nga sheshi nuk lodhen së këmbënguluri “Të hapen Kutitë”?!

5 Komente

Opozita e forte ben greve urie ndaj nje qeverie te dobet. E vertete paradoksale

Donika Çapi* - Shfe e Kabintetit të Ministrisë mbrotjes

 Nuk e di kaqe holle sa Donika, por nje gje e di mire fort.Kur niset nje gur  ne nje faqe varreje, takon e puq shume te tjere  varjes.Dhe ata  zen e nisen pas tij, sapo i takon e i "ferkon" si ne Korçe.Dhe nuk mbetet me nje dy apo disa, sa do ti mjaftonin Bernardit... per ti bere zap ! Dhe  iken e qeshura  e atij mikut ne ..Shkoder.Nga kjo  na rujt Ai siper !

Ehh sna lene as bibat tani. Ik o zonje shif noj telenovele se aq nivel paske ti, lerja kalemin atyre qe kane kellqe.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).